Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke e cilësuar vitin 2025 si një vit të ngarkuar me procese zgjedhore dhe reflektim politik.

Përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve, Haziri ka pranuar se LDK nuk arriti t’i kapitalizojë pritjet në këto zgjedhje, duke e atribuar rezultatin, sipas tij, “popullizmit të paparë, presionit dhe frikës së mbjellur”.


Ai ka theksuar se LDK historikisht ka dalluar nga partitë e tjera për qasjen e saj paqësore dhe bashkëpunuese.

“Kur të tjerët thërrisnin për luftë, ne ftuam për paqe; kur rivalët ftonin në garën e pështymës, ne ftuam për bashkëpunim”, ka shkruar Haziri, duke shtuar se qytetarët duhet të udhëhiqen drejt normalitetit e jo errësirës politike.

Sipas tij, ky është momenti i fundit për reflektim të thellë brenda partisë, pasi pragmatizmi që dikur ishte sinonim i LDK-së ka humbur. Haziri ka bërë të ditur se këtë shqetësim e ka shprehur edhe më herët publikisht.

Duke rikujtuar rrugëtimin e tij 36-vjeçar në LDK, Haziri ka thënë se partia i ka dhënë ideale për kombin, besim në Republikë dhe përkushtim ndaj atdheut, ndërsa ka theksuar se do të vazhdojë të mbetet besnik ndaj saj, pavarësisht rezultateve zgjedhore.

Ai ka përmendur edhe figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke thënë se filozofia e tij politike i ka mësuar anëtarët e LDK-së të ruajnë respektin dhe unitetin edhe në dallime, pa i konsideruar rivalët politikë si armiq.

Në fund, Haziri ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë dhe ka uruar që viti 2026 të jetë më i mirë për të gjithë, me harmoni dhe dashuri në familje.

Ai ka ndarë edhe një mesazh personal, duke kujtuar humbjen e vëllait të tij Bedri Haziri, të cilën e ka cilësuar si dhimbjen më të madhe për familjen e tij./Telegrafi.