Haxhiu: Nismën e shohim si partnere

Kandidatja për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu është deklaruar pas dështimit të 22-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ajo tha se LVV tashmë është e përcaktuar për sa i përket kandidatit për kryeparlamentar, transmeton Telegrafi.
“Nuk e di edhe sa herë duhet ta paraqesim qëndrimin e LVV-së. E kemi thënë në vazhdimësi se të drejtën për propozim të kryetarit të kuvendit e ka LVV. LVV është përcaktuar tashmë për këtë çështje. Ajo çfarë duhet është që deputetët të marrin pjesë në votim, të votojnë komisionin për votimin e fshehtë, çoftë për, kundër apo abstenim, por jo të vijnë në kuvend e të mos votojnë. Shtrohet pyetja se përse po vijnë?", ka deklaruar ajo.
Për bashkëpunimin e mundshëm mes LVV-së dhe Nismës së Fatmir Limajt, Haxhiu tha se i shohin këta të fundit si partnerë.
“Ne kemi theksuar që i shohim si partnerë tanë. Për këtë ka pasur disa takime. Diskutimet vazhdojnë për këtë qëllim dhe urojmë të përmbyllen sa më parë. Por, para qeverisë është kuvendi”, tha deputetja Haxhiu.
Ndryshe, sot ka dështuar edhe seanca e 22-të për konstituimin e Kuvendit, ku PDK, LDK, AAK nuk propozuan anëtarët për Komisionin Zgjedhor, në mënyrë që të votohet në mënyrë të fshehtë për Albulena Haxhiun./Telegrafi/










































