Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shkodër, është pritur nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi me bashkëpunëtorë.

Vizitën e tij zyrtare, kryeministri Haradinaj i shoqëruar edhe nga kryetarja Ademi, e ka nisur me homazhe te shtatorja e Heroit Kombëtar, Isa Boletini.


Me këtë rast, Haradinaj tha se ndjehet i emocionuar që po e viziton qytetin e Shkodrës, të cilin e quajti adresë të gjithë shqiptarëve.

24 10 2018 ZKM 1

“Jam vërtetë i prekur dhe i emocionuar të jem në Shkodër, në adresën e kombit, në adresën e shqiptarisë, në vendin i cili na ka bërë krenarë dhe na ka bërë të mburremi ndër shekuj për atë që jemi, pra që jemi shqiptarë”, tha Haradinaj, duke e falënderuar kryetaren Voltana Ademi dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë për pritjen, dhe shtoi se ndjehet i vlerësuar me shpalljen “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Shkodrës në vitin 2017.

Ndërkaq, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, i ka uruar mirëseardhje dhe e ka falënderuar kryeministrin Haradinaj, që ka zgjedhur për të vizituar qytetin e tyre, Shkodrën.

“Unë ju falënderoj për vizitën dhe shpresoj se do të kemi mundësinë që të marrim disa iniciativa edhe në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut dhe të disa ngjarjeve kombëtare për Shqipërinë dhe Kosovën”, tha kryetarja Ademi, duke e cilësuar vizitën e kryeministrit Haradinaj historike për qytetin e Shkodrës.

Më pas, kryeministri Haradinaj është pritur në Bashkinë e Shkodrës nga kryetarja, Voltana Ademi me bashkëpunëtorë, me të cilën ka biseduar rreth bashkëpunimit institucional të nivelit qendror dhe atij lokal ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

24 10 2018 ZKM 6

Ndër temat që janë biseduar gjatë këtij takimi kanë qenë zhvillimi i turizmit, si dhe shkëmbimi i përvojave në këtë fushë. Po ashtu është biseduar edhe për bashkëpunimin në fushën e kulturës, si dhe fusha tjera të interesit reciprok.

Gjatë këtij takimi është propozuar edhe renovimi i shtëpisë muze të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, për të cilën u tha se vlerat e trashëgimisë kulturore dhe monumenteve historike, do ta kenë vëmendjen e institucioneve të të dyja vendeve.

Më tej, Kryeministri Haradinaj ka vizituar edhe Muzeun Kombëtar të Fotografisë, “Marubi”, ku nga drejtori i këtij institucioni, Luçjan Bedeni, është njoftuar për vlerat e koleksionit fotografik përmes të cilit janë dokumentuar momente të rëndësishme të jetës shoqërore, kulturore, sportive dhe politike përgjatë historisë.

“Jam i kënaqur që jam në Shkodër, një vend i mirë, i njerëzve të mirë dhe vlerë e mirë e shqiptarëve. Dikur, pika jonë lidhëse me civilizimin, pra me këtë ndjenjë po largohem nga Shkodra”, tha kryeministri Haradinaj, në fund të vizitës së tij. /Telegrafi/

24 10 2018 ZKM 7

24 10 2018 ZKM 10

24 10 2018 ZKM 18