Drejtoria për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Pylltari në Komunën e Suharekës ka shpallur thirrjen publike për aplikim në kuadër të programit për mbështetje të fermerëve blegtoral me mëshqerra barëse të racës qumështore Hollshtein Frizis.

Kjo thirrje ka për qëllim përkrahjen e fermerëve lokalë dhe rritjen e prodhimit qumështor përmes kushteve më të avancuara blegtorale, përcjell Telegrafi.




Kriteret kryesore për aplikim

Për të qenë përfitues, fermerët duhet:

Të jenë banorë të Komunës së Suharekës;

Të jenë të regjistruar si fermerë në sistemin elektronik EFR (NIF);

Të kenë 3 deri në 5 lopë qumështore;

Të posedojnë stallë me kushte të rregullta për mirëmbajtje dhe ushqim të mjaftueshëm për kafshët;

Të kenë së paku 2 hektarë tokë bujqësore të punueshme;

Të jenë të gatshëm të nënshkruajnë kontratë me Komunën dhe donatorin.

Dokumentet e nevojshme

Kërkohen:

Kopja e letërnjoftimit,

Lista e verifikimit të gjedheve,

Certifikata e tokës prej së paku 2 hektarësh ose kontrata e qirasë së noterizuar.

Afatet e aplikimit

Aplikimet do të pranohen nga data 24 shtator 2025 deri më 8 tetor 2025 në zyrën pritëse të Komunës së Suharekës. Pas këtij afati, aplikacionet nuk do të shqyrtohen.

Ky projekt realizohet në bashkëpunim me organizatën “Mëshqerra” dhe synon të përforcojë sektorin e blegtorisë në këtë komunë përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë të fermerëve. /Telegrafi/