“Hakmarrje pas një sherri banal” – identifikohet autori i vrasjes së 23-vjeçarit shqiptar në Itali

Një 23-vjeçar shqiptar, Hekuran Cumani, është vrarë me thikë në parkingun e departamentit të Matematikës dhe Informatikës të Universitetit të Perugias në Itali.
Sipas mediave italiane, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 4:30 të mëngjesit në parkingun në Via Luigi Vanvitelli, ku ishte raportuar një sherr mes disa personave.
Kur patrulla e policisë mbërriti në vendin e ngjarjes, 23-vjeçari ishte goditur me thikë në gjoks dhe kishte ndërruar jetë para se të mbërrinte ambulanca.
Prokuroria e Perugias ka nisur hetimet për vrasjen. Burime hetimore bëjnë të ditur se “shqiptari është qëlluar pas një sherri për motive banale, nga një i ri aktualisht i paidentifikuar”.
Ndërkohë, sipas policisë italiane, hetuesit nga Skuadra Fluturuese e Perugias “kanë identifikuar tashmë autorin e dyshuar të ngjarjes dhe po punojnë për të rindërtuar plotësisht dinamikën e vrasjes”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se motivi i krimit mund të jetë hakmarrja. Hetuesit po verifikojnë versionin se Hekurani mund të jetë përfshirë në një konflikt më herët gjatë mbrëmjes me autorin në një lokal pranë universitetit.
“Pas sherrit me një grup të rinjsh, ai dyshohet se e ka ofenduar autorin dhe më pas ky i fundit është hakmarrë duke e vrarë me thikë,” thanë burime nga hetuesia.
Hekurani ishte me origjinë italo-shqiptare dhe jetonte në Fabriano, në rajonin e Markes. Ai u godit me thikë në gjoks dhe në fyt, plagë që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.
Deri më tani, disa persona janë marrë në pyetje, ndërsa policia italiane po heton për përfshirjen e më shumë se një personi në këtë ngjarje tragjike.
















































