LAJMI I FUNDIT:

Grupi Balfin: 30 milionë euro të investuara për Ferronikelin, duhet edhe ndihma e qeverisë pë ta shpëtuar industrinë

Grupi Balfin: 30 milionë euro të investuara për Ferronikelin, duhet edhe ndihma e qeverisë pë ta shpëtuar industrinë

Zëvëndëspresidenti i Grupit Balfin për Bashkimet dhe Blerjet e Bizneseve, Steven Grunerud ka dhënë një intervistë gjatë muajit për revistën e specializuar ekonomike Monitor, ku ai ngrinte shqetësimet lidhur me pasojat ekonomike që i kanosën industrisë minerare në Kosovë dhe sidomos kompanisë së Ferronikelit që është në pronësi të grupit shqiptar, me një portofol të gjerë biznesesh në rajonin e Ballkanit dhe në disa shtete të Bashkimit Evropian.

Për shkak të krizës së çmimeve në tregjet botërore, si dhe pasojave të pandemisë COVID-19, që e bënë edhe më të vështirë situatën, industria minerare në Kosovë është vendosur përballë sfidash të mëdha dhe ndodhet sot në një udhëkryq të rëndësishëm.

Balfin po zbaton një plan serioz investimesh në fabrikën e Drenasit me vlerë 30 milionë euro dhe këto investime nuk janë ndalur, por kanë vijuar me të njëjtin intensitet, pavarësisht pandemisë dhe problemeve ekonomike të shkaktuara prej saj.


Por duket se do të duhej edhe një ndërhyrje e vendosur dhe e qartë e organeve shtetërore në Kosovë, në mënyrë që kjo industri jo vetëm të shpëtohet, por ti krijohen kushtet që të lulëzojë në vitet në vazhdim, falë investimeve që Grupi Balfin ka bërë në të dhe që premtojnë rritje të prodhimit dhe të punësimit.

Zëvëndëspresidenti i Grupit Balfin për Bashkimet dhe Blerjet e Bizneseve, Steven Grunerud

Cila ka qenë deri tani ecuria e përgjithshme e investimit te Grupit Balfin në Kosovë, Newco Ferronikeli?

Grupi Balfin ka zbatuar një program investimesh prej 30 milionë eurosh që do t’ia zgjasë jetën Newco Ferronikelit, do të përmirësojë eficencën e proceseve dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit. Deri tani kemi plotësuar 70 për qind të planit, i cili pritet të përmbyllet brenda vitit të ardhshëm. Performanca e së shkuarës ka qenë e vështirë dhe në 2018 dhe 2019 nën pritshmëritë tona.

Kemi parë përmirësime në 2020 falë programit tonë të investimeve dhe përmirësimit të fokusit të menaxhimit. Ne presim që në 2021 të përmirësohemi edhe më në krahasim me vitin e fundit. Newco Ferronikeli është një investim afatgjatë dhe do të duhet kohë që të shihen rezultatet.

Vitet e fundit kompania ka pasur humbje, përse këto rezultate?

Ecuria e kompanisë varet shumë nga ecuria e çmimit në bursat ndërkombëtare. Tregu i nikelit ka hasur vështirësi dhe prodhimi ka vuajtur pasojat e pajisjeve të vjetërsuara. Mos harroni se uzina është mbyllur dy herë në 2017 dhe 2018 për shkak të çmimeve të tregut.

Edhe pse e konsideruam mbylljen e përkohshme në vitin 2019, ne vendosëm që të vazhdonim të operonim dhe të përpiqeshim të përmirësonim proceset. Ne besojmë se i kemi përmirësuar disa prej tyre dhe do të vazhdojmë ta përditësojmë dhe përmirësojmë procesin në mënyrë që t’ia zgjasim jetën Newco Ferronikelit edhe 25 vite të tjera dhe të vijojë të jetë një ndër aktorët kryesorë të ekonomisë së Kosovës.

Si do ta cilësonit klimën e të bërit biznes në Kosovë dhe cila vështirësi mund të identifikonit? Në rast se shihni ndonjë nga këndvështrimi i një investuesi ndërkombëtar.

Ç’është e vërteta nuk ka qenë aspak e lehtë. Newco Ferronikeli është eksportuesi më i madh në vend dhe një ndër punëdhënësit më të mëdhenj, me mbi 1,000 të punësuar direkt dhe rreth 2,000 të punësuar indirektë. Gjithashtu ne jemi konsumatori më i madh i energjisë në vend.

Sikurse e përmenda, kur tregu paraqiti vështirësi ne mund të ishim mbyllur për 6 muaj, por ne vendosëm të vazhdonim të shlyejmë të gjitha detyrimet në kohë me fokus të veçantë mosndërprejen e pagesës për punonjësit tanë në asnjë moment. Nuk jam i sigurt nëse mund të thuhet e njëjta gjë për minierat dhe shkritoret e tjera në Kosovë.

Një ndër problemet më të mëdha me të cilët ne po përballemi në Kosovë është mos-qëndrueshmëria politike dhe vendimmarrja duke e bërë shumë të vështirë për të gjetur një kundërpalë për të diskutuar mbi sfidat e industrisë. Kosova ka fare pak industri të mëdha, dhe qeveria nuk po i jep rëndësinë e duhur zgjidhjes së këtyre sfidave dhe rëndësinë që ka ky sektor për ekonominë e Kosovës. Çështja e pronës mbetet një tjetër sfidë për zhvillimin e sektorit minerar të cilës i duhet dhënë një zgjidhje.

Ne po përpiqemi të qasemi ndaj qeverisë në mënyrë që të garantojë që Newco Ferronikeli të ketë të njëjtin regjim rregullues ashtu sikurse kompanitë e tjera evropiane që operojnë në të njëjtën fushë. Kjo do të garantonte që Ferronikeli të mbetej konkurrues, të ndikonte në zhvillimin ekonomik të vendit dhe sigurimin e punësimit të qëndrueshëm për mijëra njerëz.

Si është situata e tanishme në tregun ndërkombëtar dhe në cilën shkallë u prek tregu nga pandemia COVID-19?

Tregu i nikelit u prek keqas nga COVID-19, ashtu sikurse të gjitha industritë dhe bizneset. Të gjithë partnerët tanë ishin shumë të kujdesshëm në lidhje me planet për të ardhmen dhe blerjet në rast se pandemia dhe situata ekonomike do të përkeqësoheshin edhe më.

Tani që ka një mundësi që vaksina të shpërndahet, ne po shohim një dritë të gjelbër të përmirësimit të kushteve të ekonomisë dhe shpresojmë që kjo të vazhdojë edhe në 2021. Sidoqoftë Newco Ferronikeli vazhdon të jetë i përqendruar në përmirësimin e eficencës së tij operacionale.

Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat e biznesit tuaj për vitin 2021?

Pritshmëritë tona janë që situata ekonomike të përmirësohet, niveli i ardhshëm i investimeve do të jetë që të rrisim në mënyrë të qëndrueshmen prodhimin në uzinë dhe më tej të krijojmë vende të reja pune.

Megjithatë për realizimin e këtyre objektivave do të duhet edhe mbështetja e qeverisë dhe agjencive rregulluese.

Grupi Balfin nuk është i pranishëm vetëm në sektorin e ri-shitjes së autorizuar me pakicë të produkteve elektro-shtëpiake në Kosovë me kompanitë Neptun dhe Jumbo, pasi prej disa vitesh administron edhe një ndër kompanitë më të mëdha në vend, Newco Ferronikelin, i cili është padyshim edhe kompania më e madhe eksportuese në vend, si dhe një ndër punëdhënësit më të mëdhenj. Me këtë industri lidhen edhe 2 mijë vende punë indirekte, përveç rreth 1 mijë të punësuarve të vetë fabrikës.

Në dhjetor 2020, Grupi Balfin vuri në jetë një tjetër projekt të rëndësishëm në Kosovë.

Në fakt, çeli dyert një Qendër e re Logjistike në periferi të Prishtinës, një investim që prek vlerën e 5 milionë eurove, ku një sipërfaqe prej rreth 15 mijë metrash katrorë, do të shërbejë si qendra e re logjistike e kompanive Jumbo, Neptun, dhe Elektroservis, si dhe për në zyrat e këtyre dy të fundit. /Telegrafi/