Pas forcës që shfaqin çdo ditë, shumë gra mbajnë në heshtje lodhjen, ankthin dhe barrën emocionale që askush nuk e sheh. Mes roleve dhe pritjeve të pafundme, ato shpesh mbeten pa hapësirë për veten dhe pa mbështetjen që u nevojitet

Miradije Statovci
Psikologe Klinike,
Poliklinika Galaxy


Në punën time si psikologe, çdo ditë përballem me një realitet që nuk shihet në publik: gratë janë të forta, të përkushtuara dhe japin çdo ditë për të tjerët, por shumë shpesh harrojnë veten.

Ato janë nënë, vajzë, bashkëshorte, profesionale – gjithmonë të pranishme dhe të gatshme. Por pas kësaj force të jashtme, shumë prej tyre fshehin lodhjen, ankthin dhe barrën e emocioneve që nuk i thonë askujt.

Shpesh më thonë:

“Duhet të vazhdoj, nuk kam kohë për veten.”
“Jam lodhur… por nuk mund të ndalem.”

Këto janë fjali të thjeshta, por pas tyre fshihet shumë më tepër se lodhja. Fshihet presioni, faji dhe ndonjëherë edhe vetmia që nuk shihet.

Shoqëria ka mësuar gratë të durojnë gjithçka, por kjo nuk është fuqi – është sakrificë pa pushim. Dhe kur ky presion vazhdon, fillon të thyhet brenda, pa zhurmë, duke krijuar një lodhje emocionale që nuk duhet ta nënvlerësojmë.

Si psikologe, gjithmonë u them grave: kujdesi për veten nuk është luks. Nuk është egoizëm. Nuk është dobësi të ndalesh. Është domosdoshmëri për të qëndruar të forta në mënyrën e duhur.

Ky shkrim është për gratë që japin gjithçka, por harrojnë të marrin atë që u duhet. Për gratë që nuk ndalen sepse nuk ka kush t’i mbajë. Dhe për shoqërinë tonë, që shpesh nuk kupton se sa shumë po sakrifikohen ata që na mbajnë të gjithëve.

Sepse ndonjëherë ajo që u duhet më shumë nuk është fuqi shtesë, sukses apo lavdërim. Ajo që u duhet është thjesht të ndihen të dëgjuara, të kuptuara dhe të mbështetura.

Dhe nëse nuk e kuptojmë këtë sot, nesër do të kemi gra që duken të forta jashtë… por që janë thyer brenda, në heshtje. /Telegrafi/