Gramoz Berisha është një prej tre të mbijetuarve të masakrës të forcave policore e ushtarake serbe mbi familjen Berisha nga Suhareka, që ka ndodhur 20 vjet më parë, në 1999.
Në kohën kur ka ndodhur masakra mbi familjen 51 anëtarëshe, Gramozi ka qenë tetëvjeçar. Ai bashkë me të ëmën e tij, Vjollcën, dhe gruan e axhës, Shyhreten, kanë mbijetuar.
“Është shumë e vështirë, por po mundohemi që ta përballojmë dhimbjen. Po mundohemi ta tregojmë atë që ka ndodhur”, ka thënë Berisha për Info Magazine të Klan Kosovës.
“Kanë kaluar 20 vjet, s’po duam të besojmë se ka kaluar kjo kohë, sepse malli dhe mërzia janë më të mëdha. Por, duhet t’i përballojmë të gjitha”, ka theksuar ai, njofton .
Në rrëfimin e tij për ngjarjen e dy dekadave më parë, ku u masakruan barbarisht 48 anëtarët e familjes së tij të ngushtë dhe anëtarë të farefisit, Berisha ka treguar me detaje ngjarjen, edhe pse atëkohë kishte qenë vetëm tetë vjeç.
“Më 26 mars të vitit 1999, diku rreth orës 12:00, kemi qenë me familjen e ngushtë dhe familjet e axhallarëve kur erdhën forca të shumta policore. Erdhën dhe na thanë se duhet të dalim të gjithë jashtë. Thanë se burrat duhet të ndalen në oborr, kurse për gratë dhe fëmijët thanë: ‘Ecni për Shqipëri!’. Në momentin që jemi larguar, i kemi dëgjuar krismat e para. S’kemi guxuar ta kthejmë kokën pas, por vetëm kemi vrapuar nëpër rrugë të ndryshme. Gjatë rrugës u bashkuan edhe familjarë të tjerë”.
Ai ka rrëfyer se si u futën në një lokal afër objektit të Komunës së Suharekës, porse forcat serbe nuk i kursyen as aty.
“Është shumë e rëndë, sepse m’i kthen të gjitha kujtimet që i kam përjetuar në këtë lokal. Ky është vendi ku kam qenë edhe unë. Secili kemi qenë në qoshe të ndryshme. Kanë ardhë policia para lokalit, jemi shtri përtokë, kanë filluar gjuajtjet nga jashtë. Kanë gjuajtur me gjithçka, plumba e bomba”.
“Mami më ka mbuluar me xhaketën e babait. Jemi shtri përtokë. Ata nuk kanë kursyer pavarësisht moshës a gjinisë. Ju ka penguar zhurma e fëmijëve që qanin. Në një moment e kam ndje një dhimbje të madhe dhe e kam vërejt që po gjakos. Jam bërë sikur kam qenë i plagosur. U plagosa, por nuk lëviza. Tërë kohën kemi qëndruar të shtrirë përtokë. Gjuajtjet kanë vazhduar tërë kohën derisa s’ka lëvizë më askush. Pastaj kanë hyrë dhe kanë kontrolluar nëse dikush ka qenë gjallë kanë gjuajtur prapë”.
“Jam bërë si i vdekur”, ka thënë Gramoz Berisha në rrëfimin e tij.
“Kanë filluar secilin me radhë të na nxjerrin nga lokali. E kanë marrë Shyhreten [Gruaja e axhës së Gramozit] dhe Altinin [Djali i axhës]. e kanë vërejt se është gjallë dhe e kanë gjuajtur prapë. Më kanë kapur edhe mua, por për fat në krahun që s’isha i plagosur sepse do të reagoja. Jam bërë si i vdekur. Më kanë hedh në kamion me trupa të familjarëve të tjerë. Kamioni është nisë në drejtim të Prizrenit. S’kam guxuar të lëviz. Gjatë rrugës mami ka filluar të bisedojë me Shyhreten”, rrëfen ai.
“Nëna ma ka njohur xhaketën dhe ka thënë: ‘T’ia shoh fytyrën djalit’ – ka menduar se jam i vdekur. Kur më ka kthyer kah vetja i kam çelë sytë. Me ka thënë: ‘A je gjallë?’, iu kam përgjigjë me ‘Po’. Ka thënë se po kërcejmë, sepse do të na groposin. Ka kërcyer Shyhretja. Nëna më ka kapë mua dhe një djalë tjetër që ka qenë gjallë. Ai kërkoi ndihmë: ‘Ju lutem ma hiqni këtë trup përmbi, se s’po mund të marr frymë’. Ai nisi të bërtiste: ‘Dua të shkoj me mamin’. Ia kemi larguar trupin dhe ne pastaj kemi kërcyer. Kamioni ka qenë me shpejtësi të madhe. Zoti na ka dhënë forcë, jemi ngritë menjëherë. Kemi hyrë nëpër livadhe”, tregon ai.
I mbijetuari i masakrës së familjes Berisha në Suharekë, Gramoz Berisha, ka thënë se ka pasur procese gjyqësore për rastin e krimeve të serbëve ndaj familjes së tij, por i kanë kundërshtuar.
Ai ka thënë se ky refuzim ndaj këtyre proceseve është bërë pasi është kërkuar që ato të mbaheshin në Beograd.
”Ka pasur një proces gjyqësor, por prej fillimit ne si familjarë kemi kundërshtuar, sepse e kemi ditur që ai proces do të jetë farsë”.
”Kemi kërkuar që çdokund të bëhet gjykimi – por vetëm në Beograd jo, sepse dihet që po bëhet për sy e faqe”.
”Ata që kanë marrë pjesë në krim, shumica janë liruar. Disa janë dënuar me vendime qesharake për ne dhe secili tashmë mund të jetë i lirë e të jetë diku nëpër botë”.
”Kjo është e vështirë, sepse ka ndodhur krim i dyfishtë. Pasi janë varrosur, janë zhvarrosur prapë dhe janë vendosur në vende të ndryshme”, tha ai.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika

Al Jazzera: Ish zv.ambasadorja amerikane në Kosovë merr detyrën si shefe e Ballkanit në Departamentin e Shtetit

Edhe një premtim për trenin e shpejtë brenda Shkupit

Publikon fotot e dy vajzave që humbën jetën në aksident, kryetari i Kamenicës: Dhimbja e mëngjesit të sotëm do të na përcjell gjatë

Policia tregon se si erdhi deri te aksidenti i rëndë në Ranillug ku humbën jetën dy vajza

Vdes edhe vajza e dytë nga vetaksidenti në Ranillugë

Prokuroria autorizon policinë që të nisë hetimet ndaj Sami Kurteshit

KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit

Një 23 vjeçare humb jetën në një aksident trafiku në fshatin Domorovc të Ranillugut

Vuçiq në intervistën me djalin e Trumpit pretendon se është i hapur për një marrëveshje me Kosovën: Duhet një zgjidhje kompromisi

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Ndodhet akoma në Big Brother - publikohet data e koncertit të parë të Gjestit

Zbulohen prapaskena befasuese: Me vetëm një telefonatë, Perez ndikoi që dy lojtarë të Barcelonës ta kalojnë regjistrimin

Ishte apo jo prekje e dyfishtë nga Alvarez? TNT Sports publikon pamje të reja për t'u dhënë fund debateve

Diego Simeone i la të gjithë pa fjalë për pyetjen që bëri në konferencë për media

Ulet pranë Gjestit, Xheneta: Dikush m’i ka puthur këta gishta të këmbës

Republika Serbe miraton një draft të kushtetutës së re - shtet brenda shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës