Google ka njoftuar një veçori të re brenda mjetit të saj Gemini AI. Veçoria u lejon përdoruesve të shndërrojnë çdo foto statike në një video tetësekondëshe, në formatin 16:9 dhe rezolucionin 720p.

Ky mjet i ri përdor modelin Veo 3, versionin më të fundit të gjeneratorit të videos së Google të zhvilluar nga DeepMind, transmeton Telegrafi.


Funksionaliteti është i disponueshëm për përdoruesit me abonime Google AI Pro dhe AI Ultra në rajone të zgjedhura. Ai lansohet përmes ndërfaqes ueb të platformës Gemini dhe një version celular do të jetë i disponueshëm së shpejti.

Për të krijuar një video, duhet të bëni sa vijon:

Në aplikacionin Gemini, zgjidhni opsionin "Video" nga menyja e mjeteve në fushën e kërkesës.

Ngarkoni një foto përmes butonit "+".

Futni një përshkrim të lëvizjes së objektit dhe udhëzimeve audio (muzikë, tinguj ambienti, dialog).

Mjeti gjeneron një video dhe ju lejon ta shkarkoni ose ta ndani atë.

Google deklaron se gjatë zhvillimit u kryen testime të gjera për të siguruar përdorim të besueshëm dhe të sigurt të mjetit.

Për më tepër, të gjitha videot e gjeneruara do të kenë një logo të dukshme që tregon se përmbajtja është krijuar nga AO, si dhe një nënshkrim digjital të padukshëm SynthID që e bën të vështirë manipulimin e videos.

Që nga lansimi i tij në maj, Veo 3 është përdorur për të gjeneruar më shumë se 40 milionë video përmes aplikacioneve Gemini dhe Flow.

Përveç kësaj, Google njoftoi gjithashtu se Flow, një mjet AI për krijimin e filmave dhe skenave dinamike, do të jetë i disponueshëm në 75 vende të tjera. /Telegrafi/