Gold AG: Kënga është bërë për heroin Zahir Pajaziti, nuk ka të bëjë me serbët

Pas deklaratave të prefektit të Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, për këngën e Gold AG dhe Hysni Klinakut, “Pushka e Lirisë”, i cili ka thënë se kjo këngë po e rrit idenë e bashkimit kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe se klipi ka përmbajtje joreale dhe prandaj duhet fshihet, ka ardhur reagimi i reperit.
Në një prononcim për Indeksonline, Arian Agushi ka thënë se kjo këngë i është kushtuar heroit kosovar, Zahir Pajaziti dhe se klipi ka përmbajtje të asaj çfarë ka ndodhur në kohën kur ky hero ka luftuar dhe nuk ka të bëjë asgjë me aktualitetin.
“Kënga është bërë për heroin Zahir Pajaziti dhe klipi ka skena nga koha kur ka luftuar ai. Të gjithë aktorët në klip janë shqiptarë dhe krejt videoja është e improvizuar”.
“Ndërsa sa i përket asaj se unë po e zmadhoj idenë e bashkimit kombëtar, këtë gjë e ndjenë dhe e mendon çdo shqiptar e jo vetëm unë”, ka thënë reperi.




















































