Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan dëshmitarët Tefik Krasniqi dhe Ylber Rushiti si të dëmtuar nga organizata joqeveritare Qendra për Avokim dhe Diplomaci (QAD), të cilët thanë se grantet që i ishin premtuar nuk i kanë marrë asnjëherë.

Në këtë rast, Valmir Hajrullahu, Freskim Buqaj dhe Saranda Dobruna, po akuzohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm dhe mashtrim. Tre të akuzuarit ngarkohen se kishin themeluar organizatën joqeveritare Qendra për Avokim dhe Diplomaci (QAD) dhe kishin mashtruar fermerë për kinse ofrim të subvencioneve.


Fillimish, dëshminë e tij para trupit gjykues e ka dhënë i dëmtuari Krasniqi, i cili i pyetur nga prokurori Besnik Jakupi se cila ishte shuma e participimit në këto grante dhe se a i kishte marrë grantet, ai tha se kishte participuar shumën mbi 5 mijë euro dhe se grantin nuk e kishte marrë.

“Sot e asaj dite nuk kemi marrë kurrë grant, përveç se stres dhe ngarkesë edhe obligime financiare”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se përveç shumës së participuar në vlerë mbi 5 mijë euro përmes transaksionit, po ashtu kishte paguar edhe 300 euro para të gatshme për plotësimin e formularëve për aplikim.

Kurse, i dëmtuari Ylber Rushiti deklaroi se mbetet pranë deklaratës se dhënë në Polici. Ndërsa, lidhur me shumën të cilën kishte participuar për marrjen e grantit, tha se bëhej fjalë për vlerën mbi 4 mijë euro.

Ai tha se edhe pse e kishte bërë gati tokën, grantin nuk e kishte marrë asnjëherë.

“Grantin nuk e mora kurrë”, tha Rushiti, duke shtuar se se përveç dëmit material kishe pësuar edhe humbje kohe.

“Dëmi më është shkaktuar pasi që të hollat i kam marrë nga familjarët dhe të miat, kohë kam humb shumë sepse unë në atë kohë kam punuar dhe jetuar në Prishtinë, ndërsa parcela e cila ka pas me u mbjellë është rreth 70 km larg Prishtinës, domethënë perveç kohës, shpenzimeve, derivateve e lodhjes, mua me është dashtë në atë kohë me shku gati për çdo ditë për me e parapërgatitë tokën se kontrata është nënshkru dhe sot e asaj dite ajo tokë e destinuar për mbjelljen e “paulovnisë” është pa asnjë kulurë tjetër bujqësore”, tha Rushiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Meqenëse mbrojtja e të akuzuarve kishte kërkuar ndërprerjen e seancës për shkak të angazhimeve në seanca tjera, kryetari i trupit gjykues Agim Kuçi e ndërpreu seancën.

Kjo lëndë më parë ishte duke u gjykuar nga gjykatësi Sh.H, por meqë i njëjti ka ndërruar jetë, tani ky rast gjykohet nga gjyqtari Agim Kuçi kryetar dhe anëtarët: Medije Bytyqi dhe Gent Beka.

Në këtë rast, me parashtresë të datës 21 janar 2020, prokurori Arian Gashi kishte bërë precizimin e aktakuzës sa i përket të dëmtuarve, ku si të dëmtuar paraqiten edhe Feriz Bytyqi, Arsim Leci, Nazmir Piraj, Arsim Leci, Shkelzen Pantina, Shpëtim Lajqi, Shyqeri Skenderi dhe Xhavit Alshiqi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 mars 2017, kishte ngritur aktakuzën ndaj Valmir Hajrullahut, Freskim Buqaj dhe Saranda Dobrunës për veprat penale “Organizmi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Mashtrim”.

Tre të akuzuarit ngarkohen se kishin themeluar organizatën joqeveritare “Qendra për Avokim dhe Diplomaci” (QAD) dhe kishin mashtruar fermerë kinse kishin ofruar subvencione, për të cilët të dëmtuarit kishin participuar me vlerën në mes 25 dhe 30% të kërkesës. Sipas aktakuzës, ata nuk e kishin përmbushur obligimin e participimit të tyre të premtuar, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumë të mëdha të parave, vlera e të cilave kishte arritur rreth 600 mijë euro.