Gjykata Themelore në Gjakovë dënon me 4.5 vjet burg një të pandehur për tentim vrasje

Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit P.B., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili akuzohej për vrasje të mbetur në tentativë dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Trupi gjykues, i kryesuar nga kryetari Drilon Haraçia, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, e shpalli të pandehurin fajtor dhe e dënoi me një dënim unik prej katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj burgim, përcjell Telegrafi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, më 20 dhjetor 2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Diaspora” në Brekoc – Gjakovë, i pandehuri P.B. ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin Gj.B., pas një mosmarrëveshjeje pronësore.
Gjatë një bisede pranë rrethojës së oborrit, i pandehuri ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar nga një distancë prej rreth tre metrash, duke e goditur në pjesën e poshtme të shpinës.
Si pasojë, i dëmtuari pësoi lëndime të rënda dhe të rrezikshme për jetën, të cilat kërkuan ndërhyrje kirurgjikale.
Palët kanë të drejtë të ankohen ndaj këtij aktgjykimi brenda tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit në formë të shkruar. /Telegrafi/

















































