LAJMI I FUNDIT:

Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe rasti i Netanyahut

Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe rasti i Netanyahut
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, që të mos lëshojë urdhër-arreste për liderët dhe komandantët izraelitë pas hetimit për luftën në Gazë (foto: Ronen Zvulun/Reuters/File)

Nga: Dan Perry / CNN (Titulli: How an ICC arrest of Netanyahu could play out)
Përkthimi: Telegrafi.com

Po shtohen sinjalet se Gjykata Penale Ndërkombëtare (GjPN) është duke e analizuar aktakuzën kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe kundër zyrtarëve të tjerë të lartë izraelitë, përkitazi me sjelljen e Izraelit në luftën kundër Hamasit në Gazë. Kjo do të jetë dridhja e cila mund të shihet si rast i drejtësisë selektive dhe që në fund e ndihmon politikisht kryeministrin problematik.

GjPN-ja, e cila u krijua më 2002, më shumë shihet si shoqëri e rreth 125 shteteve që përpiqet t’i përcaktojë rregullat sesa si manifestim i vërtetë i “ligjit konsensual ndërkombëtar” – dhe ka pozicion mjaft të paqartë kundrejt shteteve joanëtare, si Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.


Me buxhet mjaft modest për prokurorinë (rreth 185 milionë dollarë, nga të cilat vetëm rreth gjysma shkon në zyrën e prokurorit), krenohet me vetëm një pjesë të vogël të dënimeve, ndërsa kurrë nuk ka paditur liderë të ndonjë vendi demokratik. Ka ndjekur Vladimir Putinin e Rusisë, Omar al-Bashirin e Sudanit dhe disa keqbërësve të tjerë në diktatura, si Saifin – djalin e i ish-liderit libian Moammar Ghadafi. Netanyahu tashmë është i pandehur për veprat penale në vendin e vet, përkitazi me akuzat për korrupsion, ndërsa është figurë jashtëzakonisht e papëlqyeshme për shumë njerëz, mirëpo nuk është në ligën despotike.

Izraeli e ka një demokraci problematike, kjo për shkak të okupimit të gjatë të Bregut Perëndimor dhe të Jerusalemit lindor ku jetojnë miliona palestinezë – por, nuk është Sudan.

A nuk janë përfshirë vendet e tjera demokratike në luftërat kundër grupeve terroriste të cilët shkaktuan dëme masive te civilët, si në Gazë? Natyrisht se po, veçanërisht ShBA-ja dhe Britania dhe koalicioni që e bëri luftën në Irak u përpoqën të çrrënjosnin al-Kaidën dhe ISIS-in, ndërsa kishin lidhje me tatëpjetën e Libisë dhe të Jemenit në vitet 2010. Por, kur një vend ka sistem të zbatueshëm ligjor, siç e ka Izraeli, prirja e GjPN-së ka qenë që gjërat t’i trajtojë si çështje të brendshme.

Nëse GjPN-ja tani ka vendosur ta hedh poshtë këtë traditë, ende vazhdon dilema e madhe e juridiksionit – duke filluar me procedurën e çuditshme me të cilën Palestina u pranua në GjPN gati një dekadë më parë.

Gjykata funksionon me “pëlqimin e shtetit”, që do të thotë se pranon vetëm shtetet. Ndërsa, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Palestinës ia dha statusin e vëzhguesit joanëtar në vitin 2012; nuk njihet si shtet nga shumica e fuqive dhe ekonomive të mëdha, përfshirë ShBA-në. (Kohët e fundit ka një momentum për ta ndryshuar këtë realitet të kahershëm. OKB-ja i ka ndërmarrë hapat për t’ua dhënë palestinezëve peshën më të madhe, ndërsa Mbretëria e Bashkuar, ndër vendet e tjera, ka sugjeruar se do të marrë parasysh njohjen e shtetit palestinez.) Por, në vitin 2015, GjPN-ja ndërhyri dhe në mënyrë implicite vendosi se është shtet, duke e pranuar pa u konsultuar me Asamblenë e Palëve Shtetërore që përfaqëson shtetet anëtare të GjPN-së.

Për më tepër, GjPN-ja mund të marrë vetëm rastet që kanë ndodhur në territorin e shteteve anëtare – por, Palestina, edhe nëse ekziston, nuk ka territor të njohur. Pra, përsëri gjyqtarët e GjPN-së – me shumicë, jo njëzëri – në vitin 2021 vendosën se Palestina përfshihet nga Bregu Perëndimor, Gaza dhe Jerusalemi Lindor (i fundit prej të cilëve është aneksuar nga Izraeli).

Kjo pasqyron linjat e rastësishme të armëpushimit të vitit 1949, që ia dhanë fundin luftës e cila u përcoll me vetë shpalljen e pavarësisë së Izraelit. Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor janë zonat e Palestinës me mandat britanik, të cilat janë pushtuar në atë luftë nga Jordania, ndërsa Gaza u pushtua nga Egjipti – por, asnjëri prej tyre tani nuk ka pretendime për to.

Izraelitët dhe palestinezët nuk mund të bien dakord. Shumë izraelitë nuk duan të luajnë rol në aneksimin e gjithë Bregut Perëndimor, duke pasur frikë për shumicën hebreje në vendin e tyre. Ndërkohë, Hamasi ka pak interes për këta kufij, duke e pretenduar gjithë Izraelin për palestinezët. Aktakuza e GjPN-së do të nënkuptojë se gjykata kuptimisht ka vendosur për kufijtë.

Në fund është çështja e akuzave. Për të justifikuar çdo akuzë për krime lufte kundër liderëve të Izraelit, gjykata duhet t’i konsiderojë veprimet e Izraelit si joproporcionale me atë që ishte e nevojshme në reagimin ndaj sulmeve të Hamasit më 7 tetor.

Pavarësisht se si gjykata e trajton këtë, për shembull nëse pretendon se po e kërkon vetëm një krim të caktuar dhe jo të përgjithshëm, kjo nga kritikët e saj të shumtë do të perceptohet si subjektive (përveçse selektive).

Dhe, nuk do të mund të shmanget nga faktorizimi i politikës së qartë të Hamasit për përdorimin e popullsisë së Gazës si mburojë njerëzore. Edhe pse mediat pothuajse nuk e kanë përmendur këtë, jurisprudenca e krijuar për krimet e luftës, e bën të qartë se vendet civile e humbasin statusin e tyre të mbrojtur nëse ato në fakt shndërrohen në objekte ushtarake. (Meqenëse gazetarëve u mungon qasja në zonat aktive të luftës në Gazë, është e vështirë të vlerësohet se sa aktivisht Hamasi po i përdor civilët si mburojë njerëzore, por dihet se grupi terrorist është ngulitur në qendrat e popullsisë dhe se është akuzuar gjerësisht për përdorimin e spitaleve dhe shkollave.)

Nëse gjykata e injoron këtë, terroristët kudo do të marrin ndihmë nga ideja se mund të kryejnë mizori dhe më pas të fshihen prapa mburojave njerëzore, duke i sfiduar ndjekësit e tyre me rrezikimin e urdhër-arrestit ndërkombëtar. Përdorimi i mburojave njerëzore nuk është taktikë e re lufte, por kjo masë, me terroristët të fshehur nën tokë në një rrjet të gjerë tunelesh, është parë rrallë dhe GjPN-ja rrezikon ta inkurajojë këtë praktikë.

Për më tepër, nëse GjPN-ja nuk e akuzon vetë Hamasin, kjo do të ishte absurde. Pushtimi i Hamasit i 7 tetorit – me qëllimin e deklaruar për të vrarë numër maksimal të izraelitëve dhe me premtimet e mëvonshme për ta përsëritur të njëjtën – ishte ndër aktet më klasike të gjenocidit në kohët moderne, po sipas përkufizimit të vetë OKB-së në Konventën e Gjenocidit të vitit 1948 që theksin e madh e vendos te qëllimi. Nuk ka asgjë në vetë rregullat e GjPN-së që mund të kufizojë juridiksionin e saj te zyrtarët dhe, në të vërtetë, Hamasi është gjithsesi qeveria efektive e Gazës – sigurisht deri në pushtimin e Izraelit.

Gjykata ka shumë liri veprimi, prandaj politika është e pashmangshme. A mund të ndodhë që kryeprokurori shumë i respektuar, Karim Khani i Britanisë, ta ndiejë presionin për ta luajtur rolin e vet në rritjen e presionit ndaj Netanyahut? Javën e kaluar, ai e kundërshtoi presionin që vinte nga Izraeli për të bllokuar urdhër-arrestet e mundshme të liderëve.

Kjo prek çështjet që nuk janë juridike, por strategjike. Netanyahu nuk e ka mbështetur krijimin e rrugës drejt shtetit palestinez – gjë që mund të jetë e nevojshme për të realizuar projektin madhështor të presidentit amerikan Joe Biden, për të krijuar aksin perëndimoro-sunito-izraelit i cili do të kundërshtonte Iranin dhe do të arrinte qëllimin tjetër (ndoshta të pashprehur) të kundërbalancimit të Rusisë dhe të ndikimit kinez në Lindjen e Mesme.

Netanyahu e ka bërë këtë sepse koalicioni i tij i ekstremit të djathtë po e bllokon kushtin e rivendosjes së Autoritetit Palestinez për ta kontrolluar Gazën në vend të Hamasit – të cilin shumë vetë në Izrael e kanë kërkuar teorikisht prej vitesh. Ky pozicion vetëshkatërrues është arsyeja e madhe se pse bota është e ngopur me luftën – në krye të kësaj, sigurisht, është numri i tmerrshëm i vdekjeve në Gazë.

Pastaj është procesi i ndërlikuar për të shkuar në gjykatë. Izraeli mund të përpiqet të blejë kohë ose të prish procesin duke thënë se vetë po i kryen hetimet. Kjo mund të mos funksionojë (sepse Izraeli nuk është shtet anëtar, gjë që ka rëndësi) – por, nga ana tjetër mund të funksionojë (sepse përpjekja e Netanyahut për të rrënuar gjyqësorin e pavarur të Izraelit, vitin e kaluar ngeci nga protestat masive).

Në fund të fundit, nëse Netanyahu do t’ia dilte të vriste pavarësinë e gjykatave, Izraeli nuk do të ishte në gjendje të pretendonte se ka gjyqësor të vetin, gjë që është një nga shkaktarët për ndërhyrje të GjPN-së.

Nëse GjPN-ja në fund lëshon urdhër-arrest kundër Netanyahut, pavarësisht të gjitha arsyeve për të mos e bërë këtë, kjo do të ishte dhënia e një dhurate për kritikët të cilët akuzojnë se gjykata është konstrukt i çuditshëm, me pak sukses ose përgjegjësi, vendimet dhe zgjedhjet e së cilës nuk janë konsistente ose të shpjegueshme si duhet për publikun.

Për më tepër, politikisht mund të jetë duke luajtur sipas qëllimit të Netanyahut. E njëjta do të ishte e vërtetë nëse gjykata tenton kompromisin dhe nëse ndjek, për shembull, figurat ushtarake izraelite. Duke zbatuar drejtësi selektive ndaj Izraelit, kjo do të shkojë te pretendimet që tashmë ai i ka bërë se rasti paraqet shpifje antisemitike. Ky argument do të jetë i popullarizuar në Izrael dhe partitë e opozitës me shumë gjasë do të duhej ta mbështesnin – veçanërisht nëse paditë shtrihen kundër udhëheqësve ushtarakë.

Në aspektin politik, Netanyahu e ka litarin në qafë dhe pothuajse me siguri do të mposhtej nëse zgjedhjet mbahen sot. Ai po e zvarrit luftën dhe po propozon t’ia japë fundin, me gjasë me shpresën për ta mbajtur qeverinë e tij të paprekur, derisa rrethanat të ndryshojnë. Urdhër-arresti i GjPN-së do t’ia japë atij sëpatën për të prerë – dhe as nuk do ta pengojë atë të udhëtojë në vendin e vetëm për të cilin ka interes, në Shtetet e Bashkuara.

Izraeli, si rajoni dhe bota, ka nevojë shumë të madhe që Netanyahu të largohet. Do të ishte e turpshme nëse GjPN-ja pa dashje do ta bënte këtë largim më të vështirë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Kombëtarja e Shqipërisë
Kalo në kategori