Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë dhjetë nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Veteranët”, ndërsa ka liruar nga aktakuza Nuredin Lushtakun dhe Smajl Elezajn, pasi sipas trupit gjykues ata nuk kanë pasur cilësinë e personit zyrtar.

Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari u shpallën fajtorë për veprime në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e përcaktuara nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve të UÇK-së, duke ua mundësuar personave të tjerë të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit.


Ata u dënuan me nga një vit burgim, i cili duhet të ekzekutohet brenda 15 ditësh nga shpallja e vendimit.

Trupi gjykues përbëhej nga Gazmend Bahtiri (kryetar) dhe anëtarët Ngadhnjim Arrni e Kushtrim Shyti, ndërsa aktakuza përfaqësohej nga prokurori Valdet Gashi.

Kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri tha se Qeveria e Kosovës obligohet që brenda një viti të krijojë komisione të reja për të rishqyrtuar listën e personave aplikues për statusin veteran-luftëtarë, listë kjo me 19,500 persona.

“Të akuzuarit Agim çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbim Demalia, Qelë Gashi, Shuklri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha,Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari janë fajtorë për veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të kodit penal të Republikës së Kosovës dhe gjykata në bazë të dispozitave të kodit të procedurës penale të kodit penal të Republikës së Kosovës të akuzuarit i gjykon me dënim me burgim secilin veç e veç me kohëzgjatje prej 1 viti. Obligohet Qeveria e Republikës së Kosovës që të formojë komisione përkatëse që në procedurë administrative të bëj rishqyrtimin e listës prej 19,500 personave aplikues veteran luftëtarë si në shtojcën e aktakuzës së prokurorisë speciale në afat prej 1 viti pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë”, tha ai.

Ai po ashtu theksoi arsyet se pse dy nga të akuzuarit u shpallën të pafajshëm.

“Të akuzuarit Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj, me shënime personale si në shkresa të lëndës, në kuptim të nenit 363 paragrafi 1 pika 1.3 lirohen nga akuza për shkak se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për arsye se të njëjtit nuk e kanë pasur asnjëherë cilësinë e personit zyrtar”, tha ai.

Trupi gjykues deklaroi se qeveria pas përfundimit të rishqyrtimit të aplikimeve për statusin veteran- luftëtar, duhet të shpallë vlefshmërinë e statusit.