Gjobiten lokalet që shkelën orarin e punës në Prishtinë, në disa zhvillohej edhe bixhozi

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se janë shqiptuar gjoba për shkelje të orarit dhe prishje të qetësisë publike në kryeqytet.
Rama në një postim në Facebook shkruan se gjatë inspektimeve janë identifikuar disa lokale që vepronin jashtë orarit të lejuar, duke shkelur rregullat për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Lexoni të plotë postimin e Ramës:
Shqiptohen gjoba për shkelje të orarit dhe prishje të qetësisë publike n’Kryeqytet
Inspektorati i Kryeqytetit, në bashkëpunim me Policinë, ka realizuar mbrëmë një aksion të përbashkët në terren, me fokus kontrollin e respektimit të orarit të punës nga subjektet afariste.
Gjatë inspektimeve janë identifikuar disa lokale që vepronin jashtë orarit të lejuar, duke shkelur rregullat për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Në mesin e tyre, u evidentuan edhe lokale ku zhvillohej bixhoz ilegal, për çka janë shqiptuar gjoba konform ligjit! Kjo është hera e tretë gjatë muajit prill që shqiptohen gjoba për shkelje të tilla.
Inspektorati i Kryeqytetit thekson se do të veprojë me zero tolerancë ndaj çdo veprimi që shkel ligjin dhe cenon sigurinë e qytetarëve. Kontrollet do të vazhdojnë në mënyrë të intensifikuar edhe në ditët në vijim. /Telegrafi/

















































