Site icon Telegrafi

Gjithçka që duhet të dini për stadiumin e rinovuar të Prishtinës

Në Stadiumin e Prishtinës janë duke u kryer punimet e fundit dhe ai pritet të jetë i gatshëm nga qershori i këtij viti.

Rinovimi ka filluar në qershor të vitit 2016 dhe ka kushtuar 8 milionë euro. Stadiumi do të jetë i Kategorisë së 4-të të UEFA-s, ndërsa ndeshjet aty do t’i zhvillojë klubi i Prishtinës dhe Përfaqësuesja e Kosovës.

Ai pritet të hapet në qershor të këtij viti me një ndeshje testuese jozyrtare fillimisht, ku do të testohet bari.

Këtë e konfirmon edhe i pari i FFK-së, Fadil Vokrri.

“Sipas informatave që i kemi nga Ministria dhe Departamenti i Sportit duhet të testohet bari në ndeshje jo zyrtare, pastaj në funksion të përfundimit të punimeve ne do të organizojmë një ndeshje inauguruese, mirëpo ajo mbetet pas testimit të barit,  i cili do të bëhet me ndeshje jo zyrtare dhe pa publik”.

“Pastaj do të bisedojmë për detajet dhe datën ekzakte nëse mund të organizohet një ndeshje miqësore, nëse punimet kryhen me dinamikën e paraparë dhe nëse kryhet me kohë siç thamë në fillim të qershorit”, ka deklaruar Vokrri.

Pastaj në qershor mund të ketë një ndeshje miqësore (testuese) për Kosovën ku do të monitorohet nga UEFA.

Kapaciteti i stadiumit do të jetë 13 500 ulëse. 1 500 ulëse do të jenë VIP. Stadiumi do të ketë ashensor për sektorin VIP dhe gazetarë (Media).

Po ashtu do ta ketë edhe zonën VERY VIP nga 34 deri 40 ulëse për krerët e shtetit, ata të FFK-së dhe UEFA-s.

Mix zona do të ketë dy pjesë: Sektori A (vendasit) dhe Sektori B (mysafirët). Aty do të jetë edhe dhoma e gjyqtarëve dhe ajo anti-doping.

Hapësira në zhveshtore të lojtarëve do të jetë nga 100 metra katrorë secila. Stadiumi do të ketë 15 hyrje-dalje, shtatë të hapura të reja. Tifozët mund të dalin për 4 minuta e 30 sekonda deri në 5.

Mbi 30 vende janë për gazetarë ku do të ketë edhe tavolina të punës.

Do të ketë sallë të konferencave, ku mund të ulen deri në 50 gazetarë. Po aty afër do të jetë edhe dhoma e punës së mediave me tavolina pune dhe internet.

Një pjesë është e ndarë për VIP ku do të ketë shërbime ushqimi dhe pijesh nga dy kuzhina.

Parkingu i stadiumit do të ketë vend për 110 vetura, autobusët e të dy skuadrave dhe transmetuesin e ndeshjes. /Telegrafi/

Exit mobile version