Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së premtes në qytetin e Gjilanit, ku një punëtor nga fshati Kabash, Komuna e Vitisë, ka rënë nga kati i gjashtë i një objekti ndërtimor ku ishte duke punuar.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit.


"Ju njoftoj se sipas informacioneve fillestare në orët e pasdites së ditës së premte 24.10.2025, një punëtor, nga fshati Kabash KK-Viti i cili kishte qenë duke punuar në një objekt ndërtimor në Gjilan , dyshohet se ka rënë nga kati i gjashtë (6) i ndërtesës. Dyshimet e para janë se i njëjti ka rënë aksidentalisht gjatë kohës që po punonte", theksoi ai.

Hashani shtoi tutje se si pasojë e rënies ai ka pësuar lëndime të rënda trupore.

"I lënduari është dërguar me urgjencë në Shtëpinë e Shëndetit në Gjilan. Sipas mjekut kujdestar, për shkak të lëndimeve të rënda, i njëjti është transferuar menjëherë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë", pohoi ai.

Në vendngjarje kanë dalë të gjitha ekipet e nevojshme policore , si dhe njësitet përkatëse të hetimeve rajonale, për rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që të ndërmarrën veprimet e nevojshme hetimore për të ndriçuar rrethanat e plota të rastit. /Telegrafi/