LAJMI I FUNDIT:

Gjermania me vendim të ri për të gjithë ata që u ka kaluar afati i vizës Shengen

Gjermania me vendim të ri për të gjithë ata që u ka kaluar afati i vizës Shengen

Kushdo që është në Gjermani me një vizë të skaduar të Shengenit, nuk duhet të ketë frikë nga ndonjë ndëshkim për momentin.

Kështu së paku raportojnë mediat gjermane, sipas të cilave ka qenë ministri i Brendshëm Federal, Horst Seehofer (CSU), që lëshoi një urdhëresë përkatëse të enjten, përcjell Telegrafi.

Urdhëresa, siç thuhet më tej, është e vlefshme nga kjo e premte deri në 30 qershor.


Sipas Ministrisë së Brendshme, rregullorja po i përgjigjet situatës speciale të të huajve, të cilët, për shkak të kufizimeve të gjera në udhëtimet ndërkombëtare si rezultat i pandemisë së coronavirusit, nuk kanë mundësi përkohësisht të largohen nga Gjermania dhe të kthehen në vendet e tyre të lindjes.

Ministria e Brendshme dëshiron të vendosë në një datë të mëvonshme nëse kjo rregullore mund të zgjatet përtej fundit të qershorit, duke marrë parasysh zhvillimet.

Ndryshe, sikurse shumë vende në botë, edhe Gjermania po ballafaqohet me krizën e shkaktuar nga coronavirusi.

Ndërkohë është bërë e ditur se numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në gjithë botën ka kaluar në mbi 90 mijë.

Gjithsej 90.011 viktima janë regjistruar deri më tani në mbarë botën, ndërsa numri i rasteve ka shkuar në 1,539,424, sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë.

Numri më i madh i vdekjeve është regjistruar në Itali, me 17.669 viktima, ndërsa pas saj radhiten Spanja me 15.238 viktima, SHBA me 14.865, Franca me 10.869, Britania me 7.097 dhe Irani me 4.110 të vdekur nga COVID-19.

Ndërkaq, në Kinë, vendin e origjinës së virusit, janë konfirmuar 3.335 të vdekur.

Vendet e tjera me më së shumti viktima në botë janë Belgjika me 2.523, Holanda me 2.349 dhe Gjermania me 2.349 të vdekur.

Vendet e lartëpërmendura janë të vetmet që kanë tejkaluar shifrën 1 mijë me të vdekur si pasojë e pandemisë. /Telegrafi/