Policia e Kosovës, përkatësisht Departamenti për Kufij, ka pranuar një donacion nga Gjermania, i realizuar përmes Ambasadës Gjermane në Kosovë.

Sipas njoftimit, Policia e Kosovës ka pranuar:


10 vetura në vlerë prej 19 mijë e 880 euro, 10 skanerë për dokumente në vlerë prej 23 mijë euro, Një set me tri kamera të sigurisë Smart-dec në vlerë prej 40 mijë e 500 euro, 12 kamera termike në vlerë prej 36 mijë e 600 euro.

Për të shënuar këtë donacion, u mbajt një ceremoni e dorëzim-pranimit të pajisjeve, ku ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, dorëzoi pajisjet, ndërsa ato u pranuan nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Departamentit për Kufij, Fehmi Xhata, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.

Në njoftim thuhet se përfaqësuesit e pranishëm falënderuan shtetin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës, si në trajnime, ashtu edhe në ofrimin e pajisjeve të nevojshme.

Vlera e përgjithshme e pajisjeve të pranuara arrin në 298 mijë e 900 euro./Telegrafi/