Në edicionin që del në shitje të dielën, magazina siguron se Shqipëria ishte në listën e “shteteve kyçe” të përgjimeve nga ana e agjencisë gjermane të inteligjencës (BND), madje edhe para anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, më 2009.

Para një jave, “Der Spiegel” ka raportuar se shërbimet sekrete gjermane kishin spiunuar së paku një bisedë telefonike të Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, dhe se po e përgjonin Turqinë, partnerin tjetër në kuadër të NATO-s, që nga viti 2009, transmeton Zëri.


Për këtë arsye, autoritetet e Ankarasë kanë thirrur të hënën ambasadorin e Gjermanisë në Turqi për t’ia shprehur “shqetësimet” e tyre dhe për të denoncuar praktikat që “nuk do të tolerohen”.

“Der Spiegel” thotë se informacionet e saj i ka siguruar nga dokumentet që CIA-s amerikane i janë dhënë nga një spiun i BND-së. Kjo aferë në korrik ka rezultuar me dëbimin e shefit të CIA-s në Gjermani dhe i ka dhënë një goditje serioze marrëdhënieve mes dy aleatëve.

Ndërsa, zbulimi i informacioneve, vitin e kaluar, se telefoni celular i kancelares Angela Merkel ishte përgjuar nga inteligjenca amerikane i kishte ftohur goxha shumë marrëdhëniet mes Berlinit e Washingtonit, tradicionalisht shumë të fuqishme. /Telegrafi/