Gjendet i gjallë personi i zhdukur në Jezercë të Ferizajt

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se është gjetur personi i raportuar i zhdukur në fshatin Jezercë të Ferizajt.
Sipas komunikatës së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, më 21 janar 2026, rreth orës 05:00, ishte pranuar informacion për zhdukjen e shtetasit S.P., 30 vjeç, shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili ishte larguar nga një vilë në fshatin Jezercë dhe për të cilin nuk dihej vendndodhja.
Bazuar në informacionet fillestare, i njëjti dyshohej se ishte nisur me një veturë BMW me targa shqiptare në drejtim të Ferizajt dhe se mund të kishte shkaktuar një aksident trafiku në fshatin Jezercë.
Menjëherë pas pranimit të rastit, hetuesit rajonalë, në bashkëpunim me Njësinë e Trafikut Rajonal, kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe kanë mbledhur informacione relevante. Në bashkëpunim me Forenzikën Rajonale janë kontrolluar kamerat e sigurisë në zonë, si dhe janë kryer verifikime në Qendrën Emergjente në Ferizaj, në QKUK në Prishtinë dhe në disa ordinanca private, pa u raportuar ndonjë person i lënduar. Paralelisht, janë zhvilluar kërkime intensive në terren.
Në kërkim janë angazhuar edhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësia K-9 e Policisë së Kosovës dhe Brigada e Zjarrfikësve.
Ndërkohë, më 23 janar 2026, rreth orës 15:30, një qytetar ka njoftuar Qendrën e Komunikimit Rajonal në Ferizaj se kishte hasur një person në fshatin Budakovë të Suharekës, në afërsi të vendit të quajtur Gurra e Kadisë. Pas verifikimeve është konstatuar se bëhej fjalë për personin e kërkuar S.P., i cili më pas është transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim dhe ndihmë mjekësore.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësinë K-9, pjesëtarët e policisë së rajonit të Ferizajt dhe qytetarët e angazhuar në këtë rast, duke veçuar qytetarin B. Osmani, 54 vjeç, nga Ferizaj, për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në gjetjen e personit të zhdukur.
Policia ka bërë të ditur se për informata të tjera do të njoftohet me raporte vijuese. /Telegrafi/





















































