LAJMI I FUNDIT:

Gjaku

Drithëruese dhe skandaloze. Të merr malli të dëgjosh një lajm të mirë. Sot po mendoja se cila do të ishte dita ime më e mirë. Erdha në përfundimin që dita ime më e mirë do të ishte, që të mbaronte një ditë duke mos dëgjuar që një shqiptar nuk e vrau një shqiptar tjetër. Kushdo që do të ma jepte këtë sihariq, do të isha në gjendje që ta shpërbleja.

Më shkuan në mendje shumë vite më përpara, kur disa studentë nisën iniciativën për pajtim të gjaqeve në Kosovë, pastaj atyre iu bashkëngjitën shumë intelektualë. Shikuar nga rrethanat e sotme, ata punonin në një mision të shenjtë me një rrezik dhjetëra herë më të madh! Çfarë i shtyu ato familje të pajtoheshin? Me çfarë motivi pranuan që ta bënin pajtimin? Çka bënë aktivistët në këtë drejtim?


Gjendja në Kosovë ishte shumë e rëndë. Kosova ishte e pushtuar nga Serbia dhe armikun e shihnim përditë. Zgjoheshim e binim të flinim duke menduar që tek dera e shtëpisë një armik rri zgjuar. E pamë që nëse ne jemi unikë në qëllimet tona, armiku na ka frikën dhe do të na pengojë pajtimin.

Po sot, a duhet ta kemi prapë një armik kaq viziv që të pajtohemi mes vete apo duhet ta kemi vullnetin e palëkundur për të bërë mirë.

Fajtorët për këtë gjendje janë të shumtë. Disa prej tyre mund të përmenden: gjyqësori shumë i dobët i ka shtyrë njerëzit që të marrin drejtësinë vet në dorën e tyre; pastaj klasa politike është neglizhente; udhëheqësit fetarë po e injorojnë këtë dukuri; klasa intelektuale po bënë pak ose aspak në këtë drejtim; e studentët nuk janë më ata të dikurshmit – plot vullnet e të gatshëm për sakrifica për vendin e tyre.

Klasa politike në retorikën e saj çdo ditë i lakon termet paqe ndërkombëtare e rajonale, pastaj na flet për një pajtim historik shqiptaro-serb, ndërkohë vrasjet vazhdojnë, ndërsa politikanët si duket ende nuk e kanë kuptuar që para pajtimit historik me serbët, shqiptarët duhet pajtuar mes vete. Pjesa më e madhe e fajit, sipas meje, u takon udhëheqësve fetarë, si atyre myslimanë, ashtu edhe klerit katolik.

Udhëheqësit myslimanë para se të shkojnë në lutjet e së premtes (xhumasë) dhe të tregojnë pjesë Kur’anore, ku thuhet se të vrasësh një person ke vrarë gjithë njerëzimin, duhet ta dinë që përgjegjësi kemi edhe kur e dimë se po ndodh një vrasje dhe nuk tentojmë që ta parandalojmë. Duhet fillimisht tu trokasin në dyert e këtyre familjeve që janë në gjak dhe të iniciojnë pajtimin. E njëjta vlen edhe për klerin Katolik. Pothuajse asgjë nuk kanë bërë për t’i pajtuar këto familje. Le t’i shfletojnë librat e shenjtë dhe do ta shohin se çfarë kontributi për pajtim i dhanë shqiptarëve të hasmuar mes vete!

“Intelektualët” duhet patjetër që të riorganizohen edhe një herë dhe të tregojnë veten e tyre. E gjithë çka këto familje kanë nevojë, janë këshillat të cilat do t’i parandalonin këto vrasje. Intelektualët më mirë se kushdo mund të sqarojnë që drejtësinë nuk mund ta marrë secili në dorën e tij, e po ashtu duhet të jetë në gjendje të falë. Kjo paraqet madhështinë hyjnore të dhënies së këshillës: këshilla – falja -p Pajtimi.

Kjo iniciativë duhet nisur nga Intelektualët e rinj dhe pajtimi domosdoshmërisht duhet të ndodhë. Mjaft gjak për hiçgjë u derdh në këto troje. Nuk kemi nevojë për të derdhur gjak ende. U mërzitëm nga kjo gjendje.

Në një ambient ku flitet çdo ditë për klasë politike arrogante, liderë fetarë të përçarë, individë të ndarë në grupacione, shumë shqiptarë të pafajshëm po vdesin si pasojë e gjakmarrjes. Secili duhet të gjejë pjesën dhe të japë kontributin për pajtimin e këtyre gjaqeve. Çdo shqiptar që do vdesë nga gjakmarrja do të përbëjë një pjesë të turpit tonë. Toleruam shumë, tani është mjaft. Jeta e një shqiptari është shumë e vlefshme për të shkuar për asgjë…