Gentrit Hafir Shala kërkon dëshminë e këshilltarit të Kurtit për zhdukjen e babait të tij, akuzon Kryqin e Kuq për bllokim të dëshmisë

Gentrit Hafir Shala ka kërkuar publikisht që një dëshmitar kyç në rastin e zhdukjes së babait të tij, Dr. Hafir Shala, gjatë luftës së fundit në Kosovë, të lejohet të dëshmojë përpara gjykatës.
Ai ka bërë të ditur se z. Sébastien Gricourt, i cili besohet se ka njohuri të rëndësishme për këtë rast, po i pamundësohet të dëshmojë, me arsyetimin se gëzon imunitet nga periudha kur ka qenë pjesë e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
Aktualisht, Gricourt mban pozitën e këshilltarit politik të kryeministrit Albin Kurti.
Gentrit Shala e konsideron të papranueshme që një organizatë me mision humanitar si Kryqi i Kuq të pengojë zbardhjen e fatit të një personi të zhdukur, duke theksuar se nuk ka gjë më humanitare sesa e vërteta për fatin e Dr. Hafir Shalës.
“Nëse imuniteti shndërrohet në barrierë për drejtësi, ai humb qëllimin moral për të cilin ekziston,” ka shkruar ai, duke kërkuar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, që të mos bllokojë dëshminë.
Derisa nga Sebastien Gricourt, që të tregojë guxim qytetar e njerëzor për të thënë atë që di e nga Kryeministri Kurti, që të reagojë me përgjegjësi për përfshirjen e këshilltarit të tij në këtë rast.
Gentrit Shala theksoi se drejtësia nuk është çështje personale, por themel i paqes dhe nderit për çdo shoqëri. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë avokatin Kujtim Kërveshi dhe ekipin e Kërveshi & Partners Law Firm për përfaqësimin në këtë proces, duke shprehur besim të plotë në të vërtetën dhe drejtësinë.
“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se të vërtetën. Heshtja nuk është neutralitet – është palë me padrejtësinë”, përfundoi Shala./Telegrafi/






































