Inxhinieri i ndërtimtarisë dhe kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Arben Gega, ka kritikuar ashpër qeveritë e deritanishme, veçanërisht qeverinë e fundit, për neglizhencë të thellë ndaj menaxhimit të ujërave të zeza dhe ndotjes së lumenjve në Kosovë.

Në Podcast me Shkelzen Dakaj, Gega ka theksuar se një nga gabimet më të mëdha strategjike ka qenë varësia e plotë nga fondet dhe organizatat e huaja për trajtimin e ujërave të zeza.


“Një gabim që e kanë bërë qeveritë më herët është që trajtimin e ujërave të zeza në impiante ia kanë lënë organizatave të huaja. Tash presin fonde që janë të bllokuara nga sanksionet apo nga rrethana të tjera. Në këtë pikë, ne nuk duhet domosdoshmërisht me pritë ndihmë – kjo nuk është çështje ndihme, kjo është emergjencë”, ka deklaruar ai.

Gega ka theksuar se aktualisht në shumë zona të Kosovës, kanalizimi i ujërave të zeza dhe atyre atmosferike derdhet në të njëjtin sistem, duke shkaktuar ndotje të rëndë të lumenjve.

“Është për keqardhje që kanalizimi i ujërave të zeza dhe ai atmosferik derdhen në një vend. Kjo është ndotje tepër e madhe e lumenjve dhe ndikon drejtpërdrejt edhe në ujitjen e fushave, sepse nuk mundesh me ujit tokën bujqësore nga një lumë ku derdhen preparate kimike”, ka theksuar ai.

Ai ka akuzuar drejtpërdrejt qeverinë Kurti për mungesë totale të vëmendjes ndaj kësaj çështjeje, shkruan Gazeta Infokus.

“Kësaj teme shumë pak, e sidomos në qeverinë e fundit fare, nuk i është kushtuar asnjë rëndësi. A e mban mend dikush kur janë pastruar për herë të fundit liqeni i Batllavës apo ai i Badovcit? Është për keqardhje sa bërllok dhe sa shishe plastike ka aty, e askush nuk merret me këtë punë”, ka deklaruar Gega.

Sipas tij, Kosova ka kapacitete profesionale, por ato nuk po shfrytëzohen.

“Tash për fat kemi edhe inxhinierë ambientalistë, gjeneratat e para që kanë dalë në tregun e punës, por askush nuk po e vlerëson profesionalizmin e tyre”, ka shtuar ai.

Gega ka theksuar se mungesa e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në lumenjtë kryesorë është pasojë direkte e politikave të gabuara qeveritare.

“I ke lumenjtë e mëdhenj – Lumbardhin e Prizrenit, të Pejës, Toplluhën, të Suharekës – dhe nuk ka impiante për me i ndarë kanalizimet. Nuk është e thënë që çdo fshat me pasë impiant, por mundet me u ndërtu një impiant i madh që e pastron ujin para se të derdhet në Drin. Kësaj nuk i është ushtruar rëndësi fare”, ka theksuar ai.

Në përfundim, Gega ka paralajmëruar se situata me ndotjen e ujërave është jashtëzakonisht alarmante.

“Pastrimi dhe mirëmbajtja e lumenjve është emergjencë. Ndotja është jashtëzakonisht e madhe dhe pasojat po i paguajnë qytetarët çdo ditë”, ka përfunduar ai.