Aktori interpreton monologun melankolik të Samuel Beckettit në Teatrin Mbretëror të Jorkut [York Theatre Royal], aty ku bëri debutimin e tij profesional në vitin 1979

Nga: Sarah Hemming / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com


Xhekson Lembi [karakter i luajtur nga Gary Oldman] me siguri do të kënaqej me të. Gary Oldman ka mahnitur miliona shikues si antiheroi i çrregullt i serialit Dështakët [Slow Horses] në video-platformën e Apple-it. Tani ai kthehet në skenën britanike si një tjetër plak ekscentrik me higjienë dhe dietë të dyshimtë personale: Krepi, i krijuar në vitin 1958 nga Samuel Beckett, i cili, njësoj si Lembi, kishte një afeksion për ligësinë dhe shakatë e vrazhda.

Për Oldmanin, roli nuk sjell ndonjë përmirësim në dukje - Krepi i tij është personifikimi i mungesës së elegancës, flokët i varen në supe, këmisha është e rrudhur. As ambienti nuk ofron ndonjë përmirësim. Streha ku ai kryen ritualin e tij të çuditshëm të ditëlindjes - incizimin e një kasete [shirit magnetofoni] dhe dëgjimin e një të mëparshme - është spektakolare në kaosin e mbushur me kuti, libra dhe mobilie të prishura, të gjitha të mbuluara nga një shtresë pluhuri që e bën skenën më të shkretë se një peizazh hënor. Lembi do të ndihej mirë, si në shtëpinë e vet.

Por, nuk janë vetëm papastërtia dhe sjelljet e çrregullta që lidhin spiunin e shthurur të Oldmanit dhe Krepin. Të dy personazhet janë të mbytur nga koha dhe gabimet e së kaluarës, të përndjekur nga kujtimet dhe të përndjekur nga vdekja. Oldman i sjell kryeveprës së Beckettit një përzierje të mrekullueshme të humorit interesant dhe melankolisë së thellë. Vendosmëria e madhe me të cilën ai fillimisht rrëmon në tavolinën e tij për të gjetur kasetën e duhur, ia lë vendin qetësisë, dhe një lodhje e thellë e përfshin karakterin e tij ndërsa dëgjon në mënyrë të përsëritur një moment kritik nga e kaluara e vet.

Nga të gjitha aktet e mëdha që krijoi Becketti, kjo është padyshim një nga më të errëtat: një imazh i frikshëm i humbjes dhe pendesës. Këtu, një burrë i moshuar këndon në duet me vetveten e humbur, duke dëgjuar me përçmim zërin pompoz të së kaluarës që jep mendime për ngjarje të cilat ai nuk i mban mend, ose hutohet kur fjala “viduity” [vejan] e shtyn të kërkojë një fjalor të pluhurosur. Ka një teatralitet të gjallë në të gjitha këto dhe një linjë të shakave fizike. Pjesa hapet me Krepin që humb kohën duke ngrënë disa banane, një detyrë të cilën Oldmani e përmbush me një ritëm të mprehtë komik.

Magnetofoni i përdorur nga Oldmani në shfaqje, ka historinë e vet (foto: Gisele Schmidt)

Por, Becketti e balancon humorin me aspektet e thella. Krepi përballet me një moment që ndodhi 30 vjet më parë, kur ai hodhi poshtë dashurinë për të ndjekur një karrierë në shkrim, ambicie që ashiqare ka dështuar. Teknologjia e kasetave mund të jetë e vjetruar, por ajo tronditje nga përballja me vetveten e harruar, është shumë e njohur. Ndërkohë, rutina komike e mbështjelljes dhe rimbështjelljes së kasetave [shiritave] pasqyron përpjekjen për kujtesën, duke krijuar një meditim prekës mbi kujtimin, plakjen dhe vetminë. Becketti ofron një imazh të qartë njerëzor: një burrë që flet me vetveten, i humbur mes mbeturinave të grumbulluara të jetës së tij, i rrethuar nga një boshllëk i zi.

Ka shtresa të tjera prekëse. Oldmani ka zgjedhur të rikthehet në Teatrin Mbretëror të Jorkut, skenën rajonale ku ai bëri debutimin e tij profesional në vitin 1979. Dhe, magnetofoni me shirita është përdorur më parë nga Michael Gambon dhe John Hurt në të njëjtin rol. Të dy aktorët tashmë kanë ndërruar jetë, ashtu si edhe vetë Becketti.

Krepi i Gambonit i ngjante një breshke të vjetër që sapo ishte zgjuar nga letargjia. Oldmani është më i shkathët, duke shprehur zotësinë ndaj humorit dhe një qetësi magjepsëse për të dëgjuar. Ai gjithashtu është regjisori, dhe ka momente që mund të ishin shprehur më mirë me një sy të jashtëm. Por, ai e përdor heshtjen me një elokuencë të fuqishme, me tiparet që i ndryshojnë në mënyrë të lehtë për të pasqyruar dëshpërimin në rritje. Dhe, ai vazhdon të ndërtojë drejt një përmbylljeje thellësisht prekëse. Ndërsa drita zbehet ngadalë, ai shuhet në sfond derisa bëhet i padallueshëm nga mbeturinat përreth, duke lënë vetëm magnetofonin e ndriçuar teksa sjell shiritin në heshtje. /Telegrafi/