Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Dion Gallapeni, e ka cilësuar ndeshjen e fundit si historike, duke theksuar se skuadra tregoi karakter të fortë dhe arriti një fitore të madhe falë edhe mbështetjes së tifozëve “Dardanë”.

Në një prononcim për faqen zyrtare të FFK-së, Gallapeni pranon se përballja ndaj Turqisë të martën mbrëma në Prishtinë do të jetë shumë e vështirë për shkak të cilësisë së kundërshtarit, por nënvizon se forca kryesore e Kosovës mbetet uniteti dhe lufta për njëri-tjetrin në çdo moment të ndeshjes.


Gallapeni vë theksin edhe te roli i tifozëve, duke i cilësuar ata si shtysa më e madhe e ekipit, ndërsa shpreh besimin se me një atmosferë të zjarrtë në stadium, Kosova mund të arrijë një tjetër rezultat pozitiv.

“Një ndeshje historike për ne, pavarësisht se e kemi ditur se do të jetë e vështirë. Por, me ndihmën e tifozëve dardanë gjithçka ishte e mundur dhe treguam një karakter shumë të fortë dhe dolëm fitimtar nga ndeshja”, ka thënë fillimisht Gallapeni.


“Normalisht që është një ndeshje e vështirë duke marrë parasysh kualitetin që ka Turqia mirëpo këtë e kemi vërtetuar edhe në ndeshjen e parë që pavarësisht cilësisë së skuadrës së tyre, ne jemi shumë të bashkuar si grup, luftojmë për njëri-tjetrin dhe kjo ka shumë rëndësi”.

“Normalisht si këtë ndeshje, por edhe në ndeshjet e tjera, ata [tifozët] kanë qenë forca jonë më e madhe, kështu që normalisht se i pres atë në një numër të madh, ta bëjnë atmosferën siç dinë ata dhe të dalim fitimtar nga ndeshja”, përfundoi mbrojtësi i majtë. /Telegrafi/

telegrafi sport app