Skuadra nga Haraçina vazhdon serinë pozitive në Ligën e Dytë të Maqedonisë së Veriut, por fitorja e fundit ndaj Pobedës në Prilep u errësua nga skena të turpshme me fyerje raciste dhe sjellje të papranueshme nga tifozët vendas, njofton Telegrafi.

Në kuadër të javës së nëntë të Ligës së Dytë të Maqedonisë, ekipi i Shkëndijës nga Haraçina arriti fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Pobedës së Prilepit, duke triumfuar me rezultatin minimal 1-0.


Golin vendimtar e shënoi Fikret Livareka në minutën e 23-të, duke vulosur kështu fitoren që e mban Shkëndijën në krye të tabelës me 26 pikë, nga 8 fitore dhe 2 barazime, pa asnjë humbje deri tani.

Megjithatë, ajo që duhej të ishte një ditë feste për futbollin, u kthye në një episod të turpshëm. Gjatë gjithë ndeshjes, nga tribunat u dëgjuan ofendime raciste dhe thirrje fyese ndaj lojtarëve shqiptarë të Shkëndijës.

Në momente të ndryshme, tifozët e Pobedës, të njohur me nofkën “Majmuni”, përdorën slogane të rënda si:

“Mrtov shiptar, dobar shiptar” (Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur) dhe “Za shiptari gasna komora” (Dhoma gazi për shqiptarët), duke krijuar një atmosferë të papërshtatshme për një ndeshje futbolli.


Në fund të takimit, tensionet u rritën edhe më shumë. Sipas dëshmitarëve, teksa futbollistët e Shkëndijës po largoheshin nga fusha, disa tifozë tentuan të hynin në dhomat e zhveshjes duke thyer xhamat e dritareve, por ndërhyrja e forcave të sigurisë parandaloi përshkallëzimin e situatës.

Pavarësisht gjithçkaje, futbollistët e Shkëndijës arritën të ruajnë qetësinë dhe në fund iu gëzuan tri pikëve të mëdha, që i mbajnë në krye të renditjes së Ligës së Dytë.

Pas ndeshjes, klubi nga Haraçina publikoi një reagim zyrtar ku dënoi ashpër incidentet e ndodhura në Prilep:

“Skenat që u panë sot në stadiumin e Prilepit nuk i ngjajnë aspak frymës sportive që ky sport përfaqëson. Fyerjet racore, provokimet dhe sjelljet e shëmtuara nuk e ndihmojnë sportin – përkundrazi, ato e dëmtojnë imazhin e futbollit dhe garës. Si klub, i dënojmë me forcë këto veprime të turpshme që cenojnë dinjitetin dhe sigurinë e lojtarëve tanë.”

Në të njëjtën deklaratë, klubi kërkoi nga Federata e Futbollit të Maqedonisë që të marrë masa të menjëhershme ndaj organizatorëve të ndeshjes dhe të vendosë dënimet e merituara, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

“Futbolli është lojë që bashkon – jo që ndan”, – përfundon reagimi i klubit nga Haraçina.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, FFM ende nuk ka dalë me ndonjë reagim zyrtar lidhur me incidentin./Telegrafi/

telegrafi sport app