Fuad Ajvazi – qendërmbrojtësi 20-vjeçar që po rritet me hapa të mëdhenj në futbollin kosovar

Edhe pse Suhareka nuk arriti të mbijetojë në Superligë këtë sezon, një nga pikat më të ndritura të skuadrës ka qenë padyshim Fuad Ajvazi. Qendërmbrojtësi 20-vjeçar bëri debutimin e tij në elitën e futbollit kosovar gjatë edicionit 2024/25 dhe zhvilloi 16 ndeshje, duke treguar pjekuri, vendosmëri dhe cilësi të larta në çdo paraqitje.
Ajvazi, që iu bashkua Suharekës verën e kaluar nga Llapi, është formuar në shkollën e futbollit Kurda dhe më pas kaloi dy vite te Ramiz Sadiku. Një kapitull i rëndësishëm në karrierën e tij ishte edhe përvoja ndërkombëtare në Suedi, ku veshi fanellën e Karlstad. Kjo eksperiencë, bashkë me paraqitjet e mira në Kosovë, e çuan atë deri te përfaqësimi në grupmoshat e reja të Kombëtares së Kosovës.
Në një intervistë për Telegrafin, Ajvazi foli për sezonin e tij të parë në Superligë, të cilin e konsideroi si një hap të madh për karrierën.
“Ishte një vit sfidues, por njëkohësisht shumë i vlefshëm. U përballa me ritme dhe përgjegjësi të reja, dhe mësova shumë si në aspektin teknik ashtu edhe në atë taktik. Ky sezon ishte një themel i fortë për të ndërtuar më tej”, ka thënë fillimisht Ajvazi për Telegrafin.
Ai është përshkruar nga njohësit e futbollit si një nga mbrojtësit me më shumë potencial në Kosovë. Vetë Ajvazi thotë se këto vlerësime i sheh si motiv shtesë për të punuar më shumë.
“E di që ky është vetëm fillimi dhe nuk dua të mbështetem vetëm në fjalë — kam ende shumë për të mësuar dhe për të përmirësuar”.
Ndërkohë, një moment krenarie për të ishte edhe ftesa nga Kosova U21 për miqësoret ndaj Maqedonisë së Veriut në nëntor të vitit të kaluar, ku luajti në të dy ndeshjet.
“Të përfaqësosh vendin tënd është ndër nderimet më të mëdha që mund të ketë një futbollist”, shtoi ai, duke theksuar emocionin që ndjeu në atë përvojë.
Sa i përket së ardhmes, Ajvazi është i qartë në synimet e tij për sezonin e ri.
“Dua të rris performancën time, të fitoj një rol sa më konstant në formacion dhe të kontribuoj në suksesin e skuadrës. Gjithashtu, dëshiroj të jem pjesë e rregullt e përfaqësueses U21 dhe pse jo, në të ardhmen, edhe në ekipin A”, përfundoi 20-vjeçari.
Me disiplinën, pasionin dhe përkushtimin që e karakterizojnë, Fuad Ajvazi po rritet si një emër premtues i futbollit kosovar – një qendërmbrojtës modern që kombinon forcën fizike me saktësinë teknike. Ai është një prej atyre lojtarëve që e ndriçojnë të ardhmen e futbollit në vend. /Telegrafi/




















































