LAJMI I FUNDIT:

FSK me 330 ushtarë – pjesë e stërvitjes më të madhe vjetore të ushtrisë amerikane

FSK me 330 ushtarë – pjesë e stërvitjes më të madhe vjetore të ushtrisë amerikane

Ministri i  Mbrojtjes Armend Mehaj, i shoqëruar edhe nga Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, kanë folur për stërvitjen ushtarake “DEFENDER – Europe 21”  dhe rolin e Kosovës në këtë ngjarje. 

Mehaj në fjalën e tij  paraqiti  rëndësinë e këtij ushtrimi për FSK-në dhe Kosovën, duke theksuar faktin se  bashkëveprimi i FSK-së në një ushtrim të përmasave të tilla me ushtrinë e SHBA-ve aletit tonë kryesor strategjik dhe vendeve tjera aleate, është një ngjarje shumë e rëndësishme.

“Kjo stërvitje ka ndikim të jashtëzakonshëm në mjedisin e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe shpreh fuqishëm qëllimin strategjik dhe përkushtimin e SHBA-së dhe aleatëve të saj, në mesin e tyre edhe Kosovës, për një Ballkan dhe Evropë, në paqe, siguri dhe stabilitet. Stërvitja “DEFENDER-Europe 21” na ofron mundësinë më të mirë për të rritur aftësitë tona së bashku me SHBA-në dhe aleatët e partnerët tjerë, në mënyrë që të jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo lloj krize. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë stërvitje si vend partner i SHBA-së, është ngjarje e rëndësishme që dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë, përmes gatishmërisë dhe ndërveprimit ushtarak të FSK-së me forcat amerikane dhe forcat e vendeve partnere”, tha ministri Mehaj.


Ndërsa në fjalën e tij komandanti i FSK-së u përqendrua te objektivat e  ushtrimit, nivelin e përgatitjeve,  gatishmërinë e trupave  për ndërveprim dhe koordinim me ushtritë tjera në teren dhe objektivat që priten të arrihen.

“Ky ushtrim ka për qëllim të ndërtojë gatishmërinë operacionale dhe ndërveprues mërinë mes gjithë aleatëve dhe partnerëve. Përfshirja e FSK-së në këtë ushtrim ka domethënie të madhe, pjesëmarrja e FSK në këtë ushtrim ngritë aftësitë e personelit tonë në kryerjen e detyrave. Pjesëmarrja në këtë ushtrim demonstron aftësinë e vendit për të shërbyer si partner strategjik i sigurisë në regjion dhe më gjerë. FSK do të vazhdon të jetë pjesë e ushtrimeve dhe trajnimeve ndërkombëtare për të ngritur aftësitë e veta operacionale dhe të jetë e ndërveprueshme me partner”, tha komandant Rama.

Kosova në këtë ushtrim do të jetë në mesin e 16 vendeve pritëse. FSK është e përfshirë me 330 pjesëtar. Pjesa kryesore e ushtrimit do të realizohet nga data 17 deri 29 maj 2021.

Komanda e Lartë (HICON) dhe Audienca Sekondare do të jenë të vendosur në Aeroportin e Gjakovës, kurse Ushtrimi Fushor do të realizohet në Zonën e Trajnimit në “Babaj të Bokës” në komunën e Gjakovës.

Validimin e kapaciteteve të këmbësorisë do t’a bëjë ekipi vlerësues i KDS në bashkëpunim me ekipin ushtarak amerikan të Brigadës të Ndihmës së Forcave të Sigurisë (Security Force Assistance Brigade SFAB).

Në fund të konferencës, gazetarët shtruan pyetje  për Ministrin dhe Komandantin për specifikat dhe detajet e ushtrimit./Telegrafi.