FSHF zgjedh më të mirët, nderohen edhe lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë

Në një mbrëmje gala të zhvilluar në Teatrin e Operës dhe Baletit u ndanë çmimet për më të mirët e futbollit shqiptar.
Trofeu kryesor, ai i “Topit të Artë”, iu akordua sulmuesit të Vllaznisë, Bekim Balaj, i cili u shpërblye gjithashtu edhe me “Këpucën e Artë” për meshkuj, pas një sezoni të jashtëzakonshëm.

Çmimi “Topi i Artë” për femra shkoi për yllin e Vllaznisë, Megi Doci, e cila konfirmoi edhe një herë dominimin e saj në futbollin e femrave në Shqipëri.

Sa i përket pankinës, titulli i trajnerit më të mirë të vitit u fitua nga tekniku i Egnatias, Edlir Tetova, pas rezultateve të shkëlqyera me skuadrën rrogozhinase.
Ndërkohë, lojtarët e Kombëtares shqiptare votuan për më të mirin e ekipit kuqezi, duke përzgjedhur kapitenin Berat Gjimshiti.

Një nga trofetë më të rëndësishëm të akorduar mbrëmjen e sotmen ishte nderimi i lojtarëve të Kombëtares për arritjen e këtij objektivi madhor dhe historik. “Ëndërr Botërori” ishte trofeu që iu akordua sonte 12 lojtarëve të pranishëm në këtë event: Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Naser Aliji, Kristjan Asllani, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Klisman Çeka, Alen Sherri, Mario Dajsinani, Juljan Shehu dhe Nazmi Gripshi.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dorëzoi secilit prej lojtarëve nga një trofe, në shenjë falënderimi për këtë arritje historike.

Në fund, analistët dhe gazetarët sportivë përzgjodhën edhe 11-shen më të mirë të Kategorisë Superiore, duke kompletuar kështu mbrëmjen festive të futbollit shqiptar. /Telegrafi/











































