Fshati Muçiverc në Kamenicë bëhet me qendër multifunksionale – nis ndërtimi i objektit

Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur se ka filluar ndërtimi i objektit të fshatit në Muçiverc, një hapësirë që do të shërbejë për shumë funksione komunitare.
Kryetari i komunës, Kadri Rahimaj, ka thënë se kjo iniciativë është ndërmarrë nga vetë banorët e fshatit në bashkëpunim me diasporën, ndërsa komuna ka ndarë parcelën për ndërtim dhe do të jetë afër këshillit organizativ për ta lehtësuar çdo proces.
“Fshati Muçiverc është shembull i një komuniteti aktiv. Sot ka filluar ndërtimi i objektit të fshatit Muçiverc, një projekt i përbashkët i banorëve dhe diasporës”, ka deklaruar Rahimaj.
Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike në Kamenicë, Zotrim Kastrati, tha për Telegrafin se objekti do të jetë një qendër multifunksionale që do të përfshijë hapësira për aktivitete kulturore, edukative dhe rinore.
“Objekti do të shërbejë për mbledhje publike, diskutime, pritje të diasporës gjatë pushimeve, dhe për shumë qëllime të tjera në shërbim të banorëve të Muçivercit”, theksoi Kastrati. /Telegrafi/


















































