Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka nisur punën për ta bindur edhe talentin e Zvicrës Adrien Llukes, që është kushëri i Bastien Tomës, kështu së paku raporton mediumi zviceran “20min.ch”.

Llukes është lojtari më në formë te Zvicra U17, i cili luan në disa pozita, pra si sulmues, qendërmesfushor, numër 10, 8 ose edhe në krahë.


Gazeta e njohur zvicerane raporton se Kosova e ka kontaktuar Llukes për ta bindur t’i bashkohet “Dardanëve”, sidoqoftë aktualisht përgjigja është negative.

“Llukes ka pasaportë të dyfishtë zvicerane-kosovare dhe ka luajtur për FC Sion që nga fëmijëria, si kushëriri i tij Bastien Toma”.

“Talenti i ri zviceran zhvilloi paraqitjen e dytë për Sionin në ligë kundër Grasshoppers në tetor. Ai ishte momenti kur u vërejt nga Federata e Futbollit të Kosovës”.

“Pas një periudhë të shkurtër, zyrtarët e Federatës Kosovare e kontaktuan dhe provuan ta bindin për ta ndryshuar përfaqësuesen, siç bënë me Leon Avdullahun dhe Albian Hajdarin. Sidoqoftë, ky nuk është opsion për heroin e U17-shave, pjesërisht sepse Federata Zvicerane ka punuar në prapaskena për ta ndaluar këtë skenar”.

Llukes aktualisht është i fokusuar te çerekfinalja e Kampionatit Evropian, ku përballen me Portugalinë.

“Jemi një grup i mirë, jemi rritur bashkë dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Qëllimi është ta mposhtim edhe Portugalinë”, tha ai.

Mbetet të shihet nëse 17-vjeçari do të ndjek rrugën e Hajdarit dhe Avdullahut për t’u larguar nga “Helvetikët” dhe kaluar te Kosova./Telegrafi/

telegrafi sport app