Frika nga “hera e parë” dhe mitet për virgjërinë – shpjegon seksologu Hajrullah Fejza

Mungesa e edukimit seksual dhe informacionet e pasakta që qarkullojnë në shoqëri po krijojnë frikë dhe pasiguri të theksuar tek vajzat, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhënien e parë seksuale.
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, seksologu Hajrullah Fejza ka theksuar se shumë nga problemet që paraqiten tek vajzat lidhen drejtpërdrejt me mitet dhe keqinformimin rreth “virgjërisë” dhe përvojës së parë.
Sipas tij, një nga fenomenet më të shpeshta është vaginizmi – një gjendje ku vajza nuk lejon depërtimin për shkak të frikës dhe tensionit të pavullnetshëm të muskujve.
“Është një problem kryesisht psikik, që lidhet me mungesën e informacionit dhe frikën nga marrëdhënia e parë seksuale”, theksoi Fejza.
Ai shton se në shumicën e rasteve, kjo frikë buron nga tregimet e pasakta që vajzat dëgjojnë nga rrethi shoqëror.
“Rreth 80 për qind e vajzave që përballen me këtë problem thonë se kanë dëgjuar nga shoqet apo të afërmit që hera e parë është shumë e dhimbshme dhe shoqërohet me gjakderdhje”, u shpreh ai.
Këto informacione, sipas tij, ndikojnë drejtpërdrejt në psikikën e vajzës dhe krijojnë një reagim të pavullnetshëm në momentin e marrëdhënies.
“Truri e përpunon këtë frikë dhe në momentin e penetrimit ndodh një shtrëngim i pavullnetshëm i muskujve, që e bën të pamundur aktin”, shpjegoi Fejza.
Seksologu thekson se problemi nuk ka të bëjë me himenin apo aspektin fizik, siç besohet shpesh në shoqëri.
“Nuk është problem i prezencës apo mungesës së himenit, por një çështje e pastër psikike që kërkon trajtim profesional”, tha ai.
Ai apelon që vajzat dhe çiftet të mos mbështeten në mite apo këshilla të pasakta, por të kërkojnë informacione të bazuara në shkencë dhe, nëse është e nevojshme, ndihmë profesionale.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":
- YouTube www.youtube.com


















































