Është mbyllur sezoni 2024/25 në elitën e futbollit kosovar, ku përveç paraqitjeve të shkëlqyera të disa klubeve, nuk munguan as paraqitjet e mëdha individuale. 

Drita ka fituar titullin e kampionit në Superligën e Kosovës, duke fituar po ashtu të drejtën që të luajë në Ligën e Kampionëve. Prishtina u shpall fituese e Kupës së Kosovës, duke fituar të drejtën të luajë në Ligën e Evropës.  

Ballkani përfundoi si i dyti, ndërsa Malisheva si e treta, duke fituar të drejtën të luajtën në Ligën e Konferencës.  

Sa i përket formacionit të vitit, mëkat që duhet kufizuar në vetëm 11 futbollistë, pasi shumë më tepër kanë treguar paraqitje fantastike këtë edicion dhe kanë merituar të jenë pjesë e 11-shes më të mirë të sezonit. 

Gjithsesi redaksia e Sportit në Telegrafi.com ka vendosur për lojtarët që kanë shfaqur formën më të mirë, kanë pasur statistikat më të mira, por edhe arritje me ekipet e tyre. 

Gjatë 36 xhirove në Superligë dhe pesë rretheve të Kupës së Kosovës, Telegrafi ka zgjedhur formacionin në çdo javë dhe tani është koha të sjellim 11 futbollistët më të mirë të sezonit.


Faton Maloku kthehet në formacionin e sezonit në portë, pas 33 paraqitjeve në kampionat ku fitoi titullin dhe katër në Kupën e Kosovës, ku arriti gjysmëfinalen me Dritën. 

Ai arriti ta mbajë portën 14 herë të paprekur, ndërsa pranoi vetëm 26 gola, larg më i miri këtë sezon. 

Maloku fal paraqitjeve u ftua edhe nga Franco Foda këtë vit te Kosova.

Faton Maloku, portieri i FC Drita (Foto: Lumi HD)


Për të dytin sezon me radhë, Besnik Krasniqi, zë vendin në të djathtë të mbrojtjes, pas paraqitjeve të tij të shkëlqyera. Ai kishte 34 paraqitje në kampionat dhe pesë në Kupën e Kosovës. 

Në total ai shënoi 9 gola dhe asistoi 9 herë për bashkëlojtarët, duke konfirmuar formën e tij të jashtëzakonshme. 

Madje ai mori pjesë direkt në 29 përqind të golave të shënuara nga Drita në këtë sezon. 

Besnik Krasniqi, mbrojtës i FC Drita (Foto: Lumi HD)


Në të djathtë të qendrës është Egzon Bejtullai. Mbrojtësi tetovar ishte i jashtëzakonshëm këtë sezon, duke zhvilluar 32 ndeshje në kampionat dhe katër në kupë. 

Përveç që kishte kontribut në mbrojtjen më të mirë të sezonit me Dritë, ai kontribuoi me një gol dhe katër asistime.  

Ai i jep qetësi dhe vizion mbrojtjes së Dritës, si një lider i vërtetë në prapavijë. 

Egzon Bejtullai, mbrojtës i FC Drita (Foto: Lumi HD)


Në qendër të mbrojtjes në anën e majtë zë vend zbulimi i këtij sezoni, Ron Raçi i Prishtinës, i cili befasoi të gjithë me paraqitjet e tij. 

Ai në sezonin e  parë te Prishtina, fillimisht nuk u llogaritë fare, por që në debutimin e tij, ai zuri vend dhe nuk e lëshoi për asnjë moment, duke festuar në fund edhe triumfin në Kupën e Kosovës. 

Në total kishte 31 paraqitje, ku shënoi dy gola dhe asistoi një herë, teksa ishte një nga mbrojtësit me më së shumti topa të rikuperuar.  

Mbrojtësi i FC Prishtinës, Ron Raçi (Foto: FC Prishtina)


Në të majtë është lojtar i Kombëtares së Kosovës, 20 vjeçari Dion Gallapeni, ishte i papërmbajtshëm në sezonin e tij të dytë me fanellën e Prishtinës.  

Ai kishte 36 paraqitje në total me kampionatit dhe kupës, ku kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm, me 5 gola dhe 8 asistime. Po ashtu Prishtina kishte mbrojtjen e dytë më të mirë në kampionat.  

Gallapeni mori këtë sezon festë nga Franco Foda, ku debutoi në ndeshjen ndaj Islandës. 

Mbrojtës i FC Prishtinës, Dion Gallapeni (Foto: FC Prishtina)


Në qendër të mesfushës është kapiteni i Dritës, Rron Broja, njëri ndër më meritorët që titulli u kthye në Gjilan pas pesë vitesh. 

Një futbollist me personalitet të jashtëzakonshëm, që sundon mesin e fushës, duke qenë perfekt në të dy fazat, si mbrojtëse ashtu edhe sulmuese. 

Ai kishte 34 paraqite në të gjitha garat vendore, ku madje kishte 5 gola dhe 2 asistime.  

Rron Broja, mesfushor i FC Drita (Foto: Lumi HD)


Formacioni i sezonit nuk do të kishte kuptim pa Albert Dabiqajn, motorin e Dritës, që këtë sezon ishte edhe në një detyrë tjetër. 

Ai arriti t’i shënojë 10 gola, një shifër e konsideruar për një mesfushorë, ndërsa shtoi edhe tre asistime në 37 paraqitje sa kishte. 

Edhe pse kishte mundësi të largohej, Dabiqaj qëndroi te Drita dhe paraqitje të tilla dominuese priten edhe në sezonin në vijim.   

Albert Dabiqaj, mesfushor i FC Drita (Foto: Lumi HD)


Një pikë e shndritshme te Ballkani i këtij sezoni ishte braziliani Queven, i cili e ndihmoi skuadrën e tij të shpallej nënkampion. 

Ai zhvilloi 28 ndeshje në total këtë seon, ku kishte 7 gola dhe 5 asistime, duke qenë një mesfushor që di të shënojë dhe asistojë.  

Queven tregoi se mund t’i luajë pa problem të gjitha pozitat e mesfushës. 

Queven, mesfushori i FC Ballkanit (Foto: FC Ballkani)


Në sulm është top sulmuesi i kampionatit, Mevlan Zeka, i cili te Suhareka ishte e vetmja pikë që ndriti këtë sezon, pasi këta të fundit u larguan nga elita.  

Në 33 paraqitje ai kishte 21 gola dhe asistoi një herë për bashkëlojtarët. 

Zeka mori pjesë në pothuajse gjysmën e golave të shënuar nga klubi i tij, plot 45 për qind.  


Në qendër të sulmit është një tjetër pikë e fortë e Ballkanit këtë sezon. Sunday Adetunji, bëri paraqitje të forta me ish-kampionin e Kosovës. 

Ai në 32 paraqitje kishte 18 gola dhe 5 asistime, duke qenë një nga sulmuesit më të mirë në kampionat. 

Adetunji mori pjesë në 38 për qind të golave që u shënuan nga Ballkani këtë sezon. 

Sunday Adetunji, sulmues i FC Ballkanit (Foto: FC Ballkani)


Në sezonin e tij të fundit, Drilon Hazrollaj, meriton një vend në formacionin e vitit, pasi ndihmoi Malishevën të zë vendin e tretë dhe të sigurojë kualifkimin në garat evropiane.

Ai në të gjitha garat kishte 33 paraqitje, duke shënuar 12 gola dhe duke dhënë tre asistime.  

Hazrollaj do ta vazhdojë karrierën te Rapid Bukureshti, ku u shit gjatë dimrit.  

Drilon Hazrollaj, sulmues i FC Malishevës (Foto: FC Malisheva)


Trajneri fitues nuk kontestohet dhe kështu për këtë edicion padyshim se është kampioni Zekirija Ramadani. 

Shkupjani udhëhoqi Dritën drejt titullin të katërt në histori dhe skuadra e tij nuk tregoi asnjë luhatjeve në form, duke dominuar nga fillimi deri në fund për ta sjell trofeun e shumëkërkuar. 

Është hera e katërt që Zeka e fiton titullin personalisht, pasi më parë kishte triumfuar me Feronikelin, Trepçën '89 dhe Prishtinën. 

Zekirija Ramadani, trajner i Dritës me stafin e tij (Foto: Lumi HD)


Formacioni i sezonit 2024/25


Të tjerët që shkëlqyen

Sigurisht që shumë më shumë lojtarë se 11 kanë merituar të jenë në formacionin e sezonit, pasi paraqitjet e tyre ishin fantastike. 

Në portë formë të shkëlqyer treguan edhe Ilir Avdyli i Llapit, por skuadra e tij nuk ishte në formën më të mirë.  

Përveç katër mbrojtësve në formacion titullar kanë merituar të jenë edhe emrat e tjerë, Armend Thaqi (Gjilani), Bajram Jashanica (Ballkani), Arbër Prekazi (Malisheva), Raddy Ovuka (Drita), Qlirim Avdulli (Ferizaj). 

Më mesfushë do të kishte vend për emra si Drilon Islami (Prishtina), Arlind Shabani (Ferizaj), Giovanni (Ballkani), Vesel Limaj dhe Robert Mathieu Ndigi (Malisheva). 

Në sulm mëkat që nuk kishte vend për treshen Hekuran Berisha (Dukagjini), Arb Manaj (Drita) dhe Senad Jarovic (Gjilani). 


/Telegrafi 

telegrafi sport app