Mesazhe mbështetëse nga ambasadorët në Kosovë para finales me Turqinë

Kombëtarja e Kosovës në futboll do të luajë sonte ndeshjen vendimtare ndaj Turqisë, në kuadër të finales për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Ndeshja zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45, ku “Dardanët” do të jenë nikoqirë në një përballje që cilësohet si më e rëndësishmja në historinë e futbollit të Kosovës.
Në prag të kësaj sfide, përkrahje për Kombëtaren kanë shprehur edhe përfaqësitë diplomatike në Kosovë.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikuar fotografi nga ambientet e saj, ku shihet atmosfera mbështetëse për ekipin kosovar.
Në një nga imazhet, e Ngarkuara me Punë në Prishtinë, Anu Prattipati, shfaqet e veshur me fanellën e Kombëtares së Kosovës.
“Nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, po ju përkrahim – luani me forcë dhe bëni Kosovën krenare”, thuhet në mesazhin e publikuar nga kjo ambasadë.
Mbështetje ka ardhur edhe nga Ambasada e Izraelit në Kosovë, e cila i ka uruar sukses ekipit kosovar në këtë ndeshje vendimtare, duke e cilësuar atë si një mundësi historike për paraqitjen e parë në një Kupë Bote.
“Ju urojmë shumë sukses Kombëtares së Kosovës sonte ndaj Turqisë në këtë ndeshje vendimtare për kualifikim në Botërorin 2026. Qoftë që puna ekipore, përkushtimi dhe shpirti juaj të shkëlqejnë në fushë. I gjithë vendi është duke ju mbështetur”, thuhet në mesazhin e ambasadës izraelite.
Wishing Kosovo’s national football team every success tonight ⚽as you face Türkiye in Prishtina 🇽🇰 in this decisive World Cup qualification match — a chance for your first-ever appearance at the 2026 tournament in the USA ,Canada &Mexico 🌎🏆
May your teamwork, dedication, and… pic.twitter.com/NX2rvQHdFH
— Tammy Ziv 🇮🇱 (@AmbTammyZiv) March 31, 2026
Ndërkohë, edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka shprehur mbështetjen e saj, duke e cilësuar këtë ndeshje si historike.
“Me krenari po e mbështesim Kosovën sonte. I gjithë ekipi ynë mban gishtat e kryqëzuar për ekipin kosovar. Një finale historike – të fortë, të guximshëm dhe gati për të bërë histori”, thuhet në reagimin e ambasadës gjermane.
Edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Jonathan Hargreaves i shprehu mbështetje kombëtares së Kosovës.
“Mezi po e pres ndeshjen këtë mbrëmje dhe shpresoj shumë që Kosova do t’i bashkohet Anglisë dhe Skocisë këtë verë. Hajde Kosovë, forca Kosovë!”, u shpreh ambasadori Hargreaves.
Kombëtarja dardane synon pjesëmarrjen në Botëror për herë të parë në historinë e vet 10-vjeçare dhe pritjet nuk kanë qenë kurrë më të mëdha.
Botërori do të zhvillohet në verë në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë./Telegrafi.



















































