Pikat kufitare të Kosovës po përballen me fluks të madh të automjeteve, veçanërisht në dalje nga vendi, për shkak të kthimit të mërgimtarëve në vendet e tyre të punës pas përfundimit të pushimeve verore.

Sipas të dhënave të përditësuara më 17 gusht 2025 në orën 17:46, pritjet më të gjata për automjete janë regjistruar në pikën kufitare të Merdarës, ku koha e pritjes në dalje është 180 deri në 200 minuta, ndërsa kolona arrin deri në 2000 metra.


Edhe në pikën kufitare Dheu i Bardhë, situata paraqitet e ngarkuar, me kohë pritjeje nga 30 deri në 40 minuta dhe kolona prej 200 metrash në dalje.

Pika të tjera me pritje të konsiderueshme janë:

Jarinje: 15-20 minuta në dalje, me kolonë prej 150 metrash.

Mutivodë: 20-30 minuta në dalje dhe kolonë prej 50 metrash.

Muçibabë: 10-20 minuta në dalje.

Në të gjitha pikat kufitare, hyrja në Kosovë paraqitet e qetë, me pritje që variojnë nga 3 deri në 30 minuta, pa kolona të theksuara.

Për sa i përket qarkullimit të kamionëve, të dhënat tregojnë një situatë të qëndrueshme në të gjitha pikat, me kohë pritjeje prej vetëm 3 deri në 5 minuta, si në hyrje ashtu edhe në dalje, dhe pa kolona.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të planifikojnë udhëtimet e tyre duke marrë parasysh situatën në pikat kufitare dhe, nëse është e mundur, të zgjedhin pika alternative për të shmangur pritjet e gjata./Telegrafi/