Florent Muslija ka pësuar një lëndim serioz mbrëmjen e së premtes, duke ngritur shqetësime të mëdha te Fortuna Dusseldorf.

Në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të të Bundesliga 2, të cilën Dusseldorfi e humbi në shtëpi me rezultat 2-1 ndaj Holstein Kiel, reprezentuesi i Kosovës qëndroi në fushë deri në minutën e 65-të.


Sipas raportimeve të Bild, tre lojtarë të Dusseldorfit u larguan nga loja për shkak të lëndimeve, ndërsa më shqetësuesi ishte rasti i Muslijës.

Ylli kosovar u pa në lot duke mbajtur gjurin e këmbës së djathtë, duke sinjalizuar një dëmtim potencialisht të rëndë.

“Ylli Muslija në lot po e shtrëngonte gjurin e këmbës së djathtë dhe, në skenarin më të keq, ai mund të mbetet jashtë fushave deri në fund të sezonit”, shkruan Bild.

Ky zhvillim vjen në një moment delikat për Fortuna Dusseldorf, që aktualisht renditet në vendin e 13-të me 31 pikë dhe po lufton për të siguruar mbijetesën në ligë.

Mungesa e mundshme afatgjatë e Florent Muslija do të ishte një goditje e madhe për skuadrën gjermane në fazën vendimtare të sezonit./Telegrafi/

telegrafi sport app