Influencuesi i njohur i rrjeteve sociale, Nick Jackson, ka ndarë një video të re me ndjekësit e tij ku ka listuar disa nga filmat më të rinj dhe më të përfolur të momentit. Në vetëm 60 sekonda, ai përmblodhi tre prodhime që tashmë po fliten gjerësisht në industrinë e kinemasë.

I pari në listë ishte “Mission Impossible: The Final Reckoning”, i cili doli më 23 maj. Filmi, ku protagonisti është ylli i Hollywood-it, Tom Cruise, ka hyrë zyrtarisht në histori si një nga prodhimet më të shtrenjta të të gjitha kohërave, me një buxhet afro 400 milionë dollarë (344 milionë euro). Cruise madje ka thyer edhe një rekord Guinness duke realizuar 16 kërcime me parashutë në flakë vetëm për një skenë të filmit.


Jackson foli më pas për “Night Always Comes”, një thriller që u publikua më 15 gusht në platformën Netflix. Ky film ka surprizuar publikun duke u ngjitur menjëherë në vendin e parë në mbarë botën. Kritikat e para e përshkruajnë si një film që i mban shikuesit në tension të vazhdueshëm, me skena aq të forta sa që “është e pamundur të largosh sytë nga ekrani”.

Lista e tij u përmbyll me filmin horror “Descendant”, i publikuar në muajin mars. Ky prodhim ka arritur pothuajse 90% vlerësim në Rotten Tomatoes dhe është cilësuar nga kritikët si një nga filmat më të mirë të zhanrit horror për vitin 2025. Skenat e tij tronditëse kanë bërë që shumë shikues të largohen nga salla gjatë premierës, duke treguar fuqinë e jashtëzakonshme të atmosferës së filmit.

Në fund të videos, Jackson premtoi se do të vazhdojë t’u sjellë ndjekësve të tij përmbledhje të ngjashme çdo ditë, duke u bërë një nga burimet më të ndjekura për rekomandime të shpejta filmash në rrjetet sociale. /Telegrafi/