FFM falenderon Milevskin, koha për energji të freskët në përfaqësuese

Bordi Drejtues i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) në mbledhjen e sotme vendosi të mos e rinovojë kontratën e përzgjedhësit të Përfaqësueses A, Bllagoja Milevski, mandati i të cilit ka përfunduar më 30 nëntor 2025. Me këtë mbyllet një kapitull i gjatë i Milevskit në përfaqësuesen e Maqedonisë, ku ai ishte i angazhuar që nga viti 2014, shkruan Telegrafi.
Si trajner i ekipit A, prej 1 gushtit 2021, Milevski e drejtoi Maqedoninë në gjithsej 48 ndeshje. Nën drejtimin e tij, përfaqësuesja regjistroi 18 fitore, 14 barazime dhe 16 humbje. Gjatë kësaj periudhe, Maqedonia realizoi disa arritje të rëndësishme: fitoi dy ndeshje “play-off” për Botërorin, e mbylli në vend të parë në Grupin C të Ligës së Kombeve dhe siguroi kalimin në divizionin B për edicionin e ardhshëm.
“Federata e Futbollit e Maqedonisë shpreh mirënjohje të sinqertë për seleksionuesin Bllagoja Milevski dhe stafin e tij për punën e palodhur, bashkëpunimin profesional dhe rezultatet e arritura. I urojmë suksese në vazhdimin e karrierës”, thuhet në njoftimin e FFM-së.
Nga federata theksojnë se përfaqësuesja ka nevojë për energji të re dhe motivim të ri për sfidat që e presin. “Besojmë se me një staf të ri profesional do të sjellim një ‘erë të re’ në ekip, që do të forcojë konkurrencën dhe ambicien e Maqedonisë në arenën ndërkombëtare.”
FFM siguron se mbetet e përkushtuar për kushte optimale pune dhe mbështetje të plotë për ekipin e përfaqëseuses. Po ashtu, vlerëson bashkëpunimin profesional me Milevskin dhe stafin e tij, duke theksuar se ekipi do të vazhdojë të ketë mbështetjen e pakursyer edhe në fazën e re që e pret.
Sa i përket përzgjedhësit të ri, Bordi Drejtues pritet të marrë një vendim jo më vonë se 25 dhjetori 2025. Ndër kandidatët vendorë që përmenden për stolin e përfaqësueses është edhe trajneri aktual i Vardarit, Goce Sedlloski. /Telegrafi/


















































