Shoqëria Kulturore Artistike “Sharski Behar” në Prizren ka shënuar 35-vjetorin e veprimtarisë në frymën e traditës, trashëgimisë dhe miqësisë së komunitetit boshnjak.

Me pjesëmarrjen e grupeve folklorike dhe mysafirëve nga rajoni është realizuar edhe festivali multietnik me këngë e valle në gjuhë të ndryshme.


Komuna e Prizrenit ka njoftuar se në 35 vjetorin e themelimit të SHKA "Sharski Behar", është mbajtur "Festivali Tradicional Multietnik 2025", i mbështetur nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku kanë marrë pjesë ansamble kulturo-artistike nga Bosnjë dhe Hercegovina, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut si dhe ato lokale.

“Festivalet e komuniteteve janë pasuri e çmuar për jetën kulturore të Prizrenit — ato promovojnë trashëgiminë, gjuhën, muzikën dhe traditat e ndryshme, duke e bërë qytetin një mozaik të gjallë kulturor dhe një model të bashkëjetesës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.

Edhe zëvendëskryeministrja në detyrë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi për SHKA “Sharski Behar” ka theksuar se ky ansambël tash e 35 vjet me krenari kultivon traditën, zakonet dhe kulturën boshnjake.

“Ju uroj përzemërsisht këtë jubile, me dëshirën për edhe shumë vite të tjera të suksesshme pune dhe paraqitjesh artistike”, është shprehur ajo. /Telegrafi/