Faton Peci betohet si Kryetar i ri i Komunës së Mitrovicës

Në një ceremoni solemne të mbajtur sot në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, Faton Peci dha betimin dhe mori zyrtarisht detyrën si Kryetar i Komunës së Mitrovicës për katër vitet e ardhshme.
Mbledhjen inauguruese e udhëhoqi anëtari më i vjetër i Kuvendit, Naser Muja nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa në këtë seancë u bë edhe betimi i 30 anëtarëve të Kuvendit, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025.
Në fjalimin e tij pas betimit, kryetari Peci shprehu mirënjohje për besimin që qytetarët i kanë dhënë dhe theksoi përgjegjësinë e madhe që vjen me këtë detyrë.
Ai theksoi se dera e tij do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët, pa dallime apo protokolle, dhe premtoi të punojë me ndershmëri, zemër, durim dhe drejtësi.
“Na duhet dashni për qytetin, na duhet kujdes, na duhet përkushtim, sepse Mitrovica është jo vetëm qyteti ynë, por edhe zemra e Kosovës”, tha Peci, duke theksuar përkushtimin e tij ndaj komunitetit dhe zhvillimit të qytetit.
Ceremonia përfundoi me dorëzimin dhe pranimin e detyrës, ku Faton Peci e mori zyrtarisht drejtimin e komunës nga ish-kryetari Bedri Hamza.
Në këtë mënyrë, Mitrovica fillon një kapitull të ri me udhëheqësin e ri, i cili premton qeverisje të hapur dhe angazhim të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve. /Telegrafi/


















































