Fakulteti Ekonomik: Rifat Blaku ishte koleg i dashur, i palodhshëm në punën e tij
Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës, përmes një letre, ka ngushëlluar familjarët, të afërmit dhe kolegët, me rastin e ndarjes nga jeta të profesorit Rifat Blaku.
Letra e plotë: Telegram ngushëllimi me rastin e ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Rifat Blaku Sot morëm lajmin e hidhur për shkuarjen në amshim të Prof. Dr. Rifat Blakut, mësimdhënësit dhe pedagogut tonë shumëvjeçarë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Ishte koleg i dashur, i palodhshëm në punën e tij, kontribues në aftësitë e tij organizative, humaniste e kolegiale dhe në ndërtimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore në fakultetin tonë. Me vdekjen e Profesor Blakut, Ju familje e nderuar humbët bashkëshortin dhe prindin tuaj, ndërsa ne, kolegun, mikun, profesorin dhe pedagogun shumëvjeçar, i cili do të mbetet në kujtesë për gjenerata me radhë për cilësitë e tij të larta: urtësinë, bujarinë, dhe humanitetin prej një pedagogu dhe shkencëtari të shquar. Ngushëllime Familjes, të afërmve, kolegëve dhe studentëve për vdekjen e Prof. Rifat Blaku! I lehtë i qoftë dheu dhe pushoftë në paqe Prof. Dr. Rifat Blaku! Fakulteti Ekonomik Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina Prishtinë






























