LAJMI I FUNDIT:

Fakultetet e Universitetit “Hasan Prishtina” nuk i publikojnë vendimet disiplinore ndaj stafit akademik

Fakultetet e Universitetit “Hasan Prishtina” nuk i publikojnë vendimet disiplinore ndaj stafit akademik

Secili fakultet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka të ngritur Komisionin Disiplinor, përmes të cilit caktohen masat ndëshkuese për secilin student dhe anëtarë të stafit akademik që shkel Rregulloren për Procedurën Disiplinore dhe Statutin e Universitetit.

KALLXO.com ka hulumtuar në të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me ç’rast edhe ka rezultuar se nga 13 fakultete, vetëm 6 prej tyre kanë pasur raste të shkeljeve në të cilat studentët janë ndëshkuar me masa të ndryshme.

Sipas, hulumtimit studentët e UP-së kryesisht kanë shkelur Nenin 148 të Statutit të UP-së, gjegjësisht pikën 1 ku thuhet se “Studentët që janë të pranuar në Universitet kanë obligim t’i respektojnë rregulloret e lëshuara nga Universiteti.


Me shkeljen e këtij neni, ata kanë shkelur edhe Rregulloren për Procedurën Disiplinore, gjegjësisht Nenin 16-të të shkeljeve të rënda disiplinore, ku thuhet se ata kanë falsifikuar notën apo testin, kanë bërë paraqitje të rreme me qëllim të dhënies së provimit, kanë cenuar autoritetet, kanë kërcënuar, fyer dhe shantazhuar.

Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Abdullah Zejnullahu thotë se në fakultetin që ai drejton janë ndëshkuar gjashtë studentë në bazë të Nenit 150 në Statutin e UP-së, gjegjësisht të pikës 1.6 ku thuhet se “Studenti i rregullt humb statusin për këto arsye; Në rastin e përjashtimit, në bazë të vendimit të nxjerrë pas procedurës disiplinore”.

Dy studentë janë dënuar me gjashtë muaj përjashtim nga fakulteti, tre prej tyre me nga një vit dhe një student është përjashtuar në afat prej dy vitesh.

Anëtarë të këtij Komisioni Disiplinor janë Florim Graiçevci, Violeta Nushi dhe Valon Kurtaj.

“Jane tre anëtarë të Komisionit disiplinor dhe ata janë; Prof.Ass.Dr.Florim Graiçevci, Prof.Asoc.Dr.Violeta Nushi, Valon Kurtaj. Lista e studentëve të ndëshkuar dhe masa disiplinore: Sh.R. , masa disiplinore:  Përjashtim nga Fakulteti për 1 vit,  F.H.,  masa disiplinore:  Përjashtim nga Fakulteti për 1 vit,  Z.G.,  masa disiplinore:  Përjashtim nga Fakulteti për 1 vit,  B.B.,  masa disiplinore:  Përjashtim nga Fakulteti për 6 muaj,  D.A ,  masa disiplinore:  Përjashtim nga Fakulteti për 6 muaj,  B.G., masa disiplinore:  Përjashtim nga Fakulteti për 2 vite”, deklaroi Zejnullahu.

Ndërsa, për Fakultetin e Juridikut, dekani Haxhi Gashi deklaron se ky fakultet çdo afat të provimeve ka disa studentë të cilët ballafaqohen me Komisionin Disiplinor varësisht prej shkeljeve të tyre.

“Çdo afat të provimeve kemi nga disa studentë të cilët ballafaqohen me shkeljet disiplinore dhe për çdo rast ato shpallen në ueb faqe të Fakultetit Juridik. Komisioni disiplinor përbëhet nga tre anëtarë: Prof.Dr. Iset Morina, Prof.dr. Bedri Bahtiri dhe Dr.sc. Fitore Morina”, tha Gashi.

Në Fakultetin e Shkencave Sportive, dekani Musa Selimi, thotë se në tre vitet e fundit nuk ka pasur ndonjë Komision Disiplinor në këtë fakultet.

“Që një kohë të gjatë s’kemi pasur ndonjë ankesë për komision displinor nga ana e studentëve, pothuajse 2 vite e gjysmë që unë jam dekan”, deklaroi ai.

Dekani Ahmet Shala, nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, tha se për tre vitet e fundit Komisioni Disiplinor ka ndëshkuar dy studentë.

“Komisioni përbëhet nga Prof. Nexhat Qehaja, Prof. Azem Kyçyku, Fatmire Kuçi – Sekretare e FIM-it. Vendimet e ketij komisioni behen publike ne uebfaqe te FIM-it. Tri vitet e fundit kemi nje Vendim për dy studentë”, tha Shala për Kallxo.com.

Në Fakultetin e Filologjisë, dekanja Lindita Rugova, thotë se ky fakultet nuk ka pasur raste të ankesave me shkrim të cilat do të detyronin Komisionin Disiplinor që të mbledhet dhe të vendos për rastet e caktuara.

Sipas, Rugovës SEMS-i po ua lehtëson punën studentëve prandaj ata edhe po e fitojnë notën e dëshiruar gradualisht.

“Fakulteti i Filologjisë e ka Komisionin displinor që përbëhet nga tre anëtarë nga radha e profesorëve dhe e asistentëve dhe ky komision do të duhej të mblidhej sipas rasteve të mundshme, nëse ka të tilla që paraqiten. Në dy vitet e fundit nuk e kemi pasur asnjë rast të ankimit me shkrim ndaj ndonje studenti. Një gjë e tillë mund të arsyetohet me faktin se Sistemi Elektronik i Menaxhimit të të Dhënave SEMS nuk i lejon disa gabime që janë bërë më parë meqë pasqyra e të dhënave rreth studentëve është më transparente. Gjithashtu, mungesa e ankesave të kësaj natyre vjen edhe për faktin se programet aktuale të mësimit e favorizojnë ngritjen sistematike të notës ose të vlerësimit nga ana e profesorëve (kolokviumet e rregullta, punimet seminarike, ushtrimet, konsultimet e vazhdueshme të profesorëve me studentë dhe vlerësimi i vazhdueshëm i profesorëve) dhe nepërmjet kësaj mënyreje të vlerësimit studentët janë të njoftuar në mënyrë të qartë dhe publike për arritshmërinë e tyre në mësimnxënie”, tha Rugova.

Sekretari i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Jeton Hyseni, thotë se nga viti 2014 e deri tani Komisioni Disiplinor ka ndëshkuar gjithsej 19 studentë.

“Komisioni Disiplinor në FSHMN përbëhet prej tre anëtarëve, një profesor, një asistent dhe një student, ndërsa lidhur me shqiptimin e masave disiplinore në tri vitet e fundit, prej datës 01.01.2014 deri më sot, ndaj studentëve janë shqiptuar 19 masa disiplinore. Shkeljet janë: falsifikim i notës, përshkrim i notës në indeks nga vetë studentja, hyrje në provim për tjetrin, përdorim i tel mobil për kopjim gjatë provimit. Ndërsa masat disiplinore janë: përjashtim nga fakulteti, përjashtim për një vit nga fakulteti,  përjashtim gjashtë muaj, si dhe vërejtje me shkrim”, deklaroi ai.

Ndërsa, në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, dekani Skender Kaçiu, tha se që nga viti 2016 janë ndëshkuar vetëm dy studentë.

“Anëtarë të komisionit janë: Prof.dr. Afrim Hamidi, Prof. dr. Sali Aliu, Dr.sc.  Iliriana Miftari. Deri më tani ka patur vetëm dy raste, një studenti i është ndaluar hyrja në provime për gjashtë muaj dhe një student tjetër është dënuar me vërejtje. Prej kur unë jam në pozitën e Dekanit (nga 15.03.2016), nuk kemi patur asnjë rast tjetër”, thotë Kaçiu.

Visar Muçaj, sekretar në Fakultetin e Mjekësisë, thotë se nga periudha kohore 2014-2017, ky fakultet ka pasur 44 raste të shkeljeve nga ana e studentëve, të cilët janë dërguar në Këshillin e Njësisë Akademike.

“Komisioni Disiplinor është i përbërë nga tre anëtarë. Prej vitit akademik 2014/15 deri në vitin akademik 2016/17 në Komisionin Disiplinor kemi pasur 44 raste të fletëparaqitjeve për shkelje të dyshuara nga ana e studentëve të cilat janë shqyrtuar dhe është dhënë Propozim-Vendim nga ana e Komisionit Disiplinor duke i dërguar në procedurë të mëtutjeshme në Këshillin e Njësisë Akademike për të marr Vendim”, deklaroi ai.

Prodekanja e Fakultetit Filozofik për çështje mësimore, Hasnije Ilazi, tha se për të marrë përgjigjet e kërkuara duhet të presë që ky fakultet ta kryejë pushimin zyrtarë.

“Duke pasur parasysh se jemi të gjithë të angazhuar maksimalisht për pranimin e studentëve të rinj, është e pamundur që në këtë kohë t`i përgjigjemi pyetjeve të shtruara”, deklaroi Ilazi.

Dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku, tha se për vendimet e këtij komisioni duhet të drejtohemi në faqen zyrtare të fakultetit, andaj edhe nuk dha ndonjë informacion të detajuar rreth këtyre vendimeve.

“Të gjitha vendimet e Komisionit Disiplinor i gjeni në ueb-faqen e Fakultetit të Edukimit”, tha ai.

Në Fakultetin Ekonomik, sipas dekanit But Dedaj, Komisioni Disiplinor gjatë periudhës 2016-2018 ka trajtuar gjithsej 100 raste të shkeljeve të ndryshme nga ana e studentëve.

“Gjatё kёsaj periudhe kohore Komsionit Disiplinor ju kanë adresuar gjithsej 100 çështje tё ndryshme disiplonore. Masat disiplinore tё shqiptuara janë si vijon: 1 Anulim i vendimit tё mёparёshёm, 1 Hedhje poshtё e fletëparaqitjes disiplinore, 13 Vёrejtje me shkrim, 13 Pёrjashtime për tre muaj, 22 Pёrjashtime pёr gjashtё muaj, 43 Pёrjashtime pёr njё vit, 3 Pёrjashtime pёr dy vite, 1 Pёrjashtim pёr tre vite, 3 Pёrjashtime të pёrhershme”, deklaroi Dedaj.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Enver Hamiti, si dhe dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi, nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje për informacionet e kërkuara.

Fakultetet e UP-së nuk i përditësojnë vendimet e Komisionit Disiplinor në faqet zyrtare

Kur jemi tek publikimet e këtyre vendimeve me emrat e studentëve të cilët kanë shkelur Rregulloren e Procedurës Disiplinore dhe Statutin e Universitetit, vetëm tre prej 13 fakulteteve të UP-së kanë përditësuar vendimet e këtij komisioni.

Pra, në dhjetë fakultete të UP-së nuk figuron asnjë informacion rreth vendimeve të Komisionit Disiplinor.

Viti 2015-të, është data e fundit në të cilën është publikuar vendimi i Komisionit Disiplinor për Fakultetin Juridik, pra nuk ka asnjë raport të vendimeve të publikuara gjatë tre viteve të fundit.

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike ka të publikuar vetëm vendimin e vitit 2016-të, të Komisionit Disiplinor.

Data e vetme e publikimit të vendimit të këtij komisioni në Fakultetin e Edukimit, është 10 maj 2018-të, në të cilin gjenden gjashtë studentë që kanë kryer shkelje disiplinore.

Në fakultetet tjera të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nuk ka asnjë publikim të vendimeve të Komisionit Disiplinor rreth shkeljeve të Rregullores së Procedurës Disiplinore dhe Statutit të UP-së.

Komisioni Disiplinor në rastet e stafit akademik të UP-së nuk i tregon shkeljet e tyre

Gjashtë fakultete të Universtetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” i dhanë përgjigje Kallxo.com rreth rasteve të shkeljeve disiplinore nga ana e stafit akademik, ndërsa shtatë prej tyre nuk janë përgjigjur.

Kryetari i Komisionit Disiplinor të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Nexhat Qehaja thotë se ky komision nuk ka pranuar ndonjë ankesë lidhur me stafin akademik, prandaj edhe nuk ka asnjë dënim.

“Komisioni disiplinor nuk ka pasë ndonjë ankesë lidhur me shkeljet eventuale për stafin akademik të FIM-ë”, deklaroi Qehaja.

Sekretari i Fakultetit të Mjekësisë, Visar Muçaj tha se gjatë tre viteve të fundit në Komision Disiplinor janë dërguar tre anëtarë të stafit akademik.

“Komisioni Disiplinor për shqyrtimin e rasteve për personelin akademik përbëhet nga 5 anëtarë dhe një ndihmëse administrative. Deri më tani në Komisionin Disiplinor për shqyrtimin e rasteve për personelin akademik janë shqyrtuar 3 raste për shkelje të supozuara, dy prej tyre janë dërguar në Komisionin Etik për inkompetencë dhe njërës lëndë i janë propozuar masat që duhen ndërmarrë nga palët në procedurë”, tha Muçaj.

Jeton Hyseni, sekretari i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, thotë se në tre vitet e fundit ky fakultet nuk ka pasur ndonjë rast të shkeljes së rregullores nga stafi akademik.

“Gjatë tri viteve të fundit nuk ka pasur ndonjë masë disiplinore ndaj personelit akademik në FSHMN”, tha Hyseni.

Ndërkohë, edhe në Fakultetin e Shkencave Sportive nuk ka asnjë rast të identifikuar nga Komisioni Disiplinor, thotë dekani i këtij fakulteti, Musa Selimi.

“Nuk kemi asnjë ndëshkim dhe dënim në njësinë tonë akademike”, tha ai.

As në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, nuk ka ndonjë rast të shënuar. Këtë e konfirmoi dekani Abdullah Zejnullahu.

“Nuk kemi ndonjë rast të cilit iu është shqiptuar ndonjë dënim”, thotë ai.

Kur jemi tek Fakulteti Filologjik, dekanja Lindita Rugova  tha se nuk mund të jap përgjigje për rastet e shkeljeve disiplinore nga ana e stafit akademik për shkak të angazhimeve, prandaj edhe kërkoi që të kontaktojmë me prodekanin Nysret Krasniqi, i cili pavarësisht se u kontaktua nuk dha përgjigje.

“Jam shumë e zënë me çështjen e provimeve dhe të lus shumë t’i shkruash prodekanit për mësim, prof. Nysret Krasniqit”, shkroi Rugova.

Fakulteti Ekonomik nuk ka dhënë përgjigje  rreth shkeljeve disiplinore të stafit akademik. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakultetin Filozofik, Juridik, Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Edukimit dhe Fakultetin e Arteve. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Mbahet seanca gjyqësore për rastin

Mbahet seanca gjyqësore për rastin "Kobra", ai thotë se nuk ndihet fajtor

Drejtësi
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Arrestohen 18 persona në Prizren për bixhoz të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje

Arrestohen 18 persona në Prizren për bixhoz të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje

Kronika e Zezë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Kalo në kategori