Evropianët kanë të drejtë të zemërohen me Trumpin, por duhet të zemërohen edhe me vetveten

Nga: Andrew Rawnsley / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Ishte Keir Starmer ai që u tha anëtarëve të rrethit të tij të ngushtë se kjo ishte një nga vizitat e tij më domethënëse jashtë vendit. Në mes të muajit të kaluar, ai fluturoi drejt Kievit për të ripohuar angazhimin për të mbështetur luftën e Ukrainës për liri, një premtim të cilin ai e bëri tipar përcaktues të udhëheqjes së tij kur laburistët ishin në opozitë. Duart i shtrëngoi ngrohtësisht me Volodymyr Zelenskyyn, sirenat e sulmeve ajrore ushtonin gjatë një sulmi me dron rus, u bënë disa premtime financiare dhe u nënshkrua një traktat 100-vjeçar partneriteti. Kryeministri përsëriti solemnialisht moton perëndimore për mbështetjen e rezistencës kundër tiranisë ruse, “për aq kohë sa duhet”, derisa Ukraina të bëhet “sërish e lirë dhe e lulëzuar”.
Por, të gjitha këto tani duken fjalë boshe, falë Donald Trumpit. Me përçmimin e tij të zakonshëm ndaj aleatëve tradicionalë të vendit të vet, presidenti amerikan i kapi ata në befasi duke shpallur se kishte nisur negociata e paqes me Vladimir Putinin, duke anashkaluar Ukrainën dhe anëtarët evropianë të NATO-s. Si gjithë vendet e tjera, Mbretëria e Bashkuar nuk mori asnjë paralajmërim për këtë goditje të papritur. Kaq për të ashtuquajturën “marrëdhënie e veçantë” me ShBA-në. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, më pas dha një tjetër goditje për sigurinë evropiane, duke deklaruar publikisht se Ukraina do të duhej të pranonte dorëzimin e një pjese të madhe të territorit të saj dhe se duhej të harronte anëtarësimin në NATO. Ai më tej shpalli se mbrojtja e ardhshme e Ukrainës do të mbetej në duart e Evropës, pasi ShBA-ja nuk do të dërgonte asnjë ushtar për të garantuar sigurinë e saj.
Të poshtëruar dhe të shqetësuar, udhëheqësit evropianë po bërtasin “tradhti”. Qeveria britanike nuk po e thotë haptazi këtë akuzë, por në privatësi pajtohet me këtë. Ekziston një habi e madhe se si presidenti amerikan u dorëzua kaq lehtë ndaj kërkesave ruse, para se negociatat të kishin filluar. “Çfarë ndodhi me Artin e Marrëveshjes”? – pyet i tronditur një ministër. Ka neveri për kënaqësinë e hapët të Kremlinit, i cili e sheh këtë si një legjitimim të barbarisë që ka ushtruar mbi fqinjin. Duke shpërblyer grabitjen ruse, ka frikë për pasojat që kjo do të ketë për shtetet baltike dhe të tjerët. Ka tmerr nga sugjerimi i mëpasshëm i Trumpit se Putini do të ftohet të ribashkohet me G7-ën, thuajse lista e përgjakshme e krimeve të luftës mund të pastrohet.
Një ide e tmerrshme që po qarkullon është se Trumpi do të bëjë një vizitë shtetërore në Moskë, gjë që do të përkojë me paradën e 1 Majit që manifeston fuqinë ushtarake të Rusisë. Çfarë spektakli grotesk: i ashtuquajturi lider i botës së lirë duke u ulur pranë tiranit të Kremlinit, ndërsa ushtria që ka kryer aq shumë mizori në Ukrainë marshon nëpër Sheshin e Kuq.
Befasia më e madhe është se ka kaq shumë njerëz që pretendojnë se janë të befasuar. Ne e dinim se ky president amerikan përçmon aleatët historikë të Amerikës mes demokracive evropiane, ashtu siç përçmon arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare që ndërtuan paraardhësit e tij. Politika e tij gjeopolitike është ajo e fuqive të mëdha grabitqare që bëjnë marrëveshje me njëra-tjetrën, ndërsa ato më të voglat ose përshtaten ose shtypen. Nëse jeni vërtet të tronditur nga këto zhvillime, mund të supozoj vetëm se nuk keni qenë duke i kushtuar vëmendje.
Rreziqet janë të theksuara. Paqja e diktuar do ta inkurajonte Putinin dhe grabitqarët e tjerë për të rishkruar kufijtë ndërkombëtarë me forcë. Nëse ShBA-ja, në bashkëpunim me Rusinë, do të copëtonte Ukrainën përkundër reagimit të Kievit dhe kryeqyteteve evropiane, aleanca transatlantike do të pësonte një çarje vdekjeprurëse.
Evropianët kanë të drejtë të jenë të zemëruar me Trumpin, por duhet të jenë po aq të zemëruar edhe me vetveten. Ata janë fajtorë për lënien e kontinentit të tyre kaq të ekspozuar ndaj kësaj kthese të rrezikshme të ngjarjeve botërore. Trumpi gjithmonë ka pasur të drejtë kur është ankuar se Daja Sem po trajtohet si Daja Naiv dhe ai nuk është presidenti i parë amerikan që i ka thënë Evropës të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e vet – edhe pse asnjëri para tij nuk ka qenë kaq brutal për këtë çështje. Nën supozimin prej dembeli se ShBA-ja gjithmonë do t’i mbronte, vendet evropiane kanë shpenzuar shumë pak për mbrojtjen. Pushtimi rus i Ukrainës u përshkrua shpesh si një alarm zgjimi, por shumë pjesë të Evropës u përgjigjën duke shtypur butonin e ndaljes së alarmit për t’ia futur prapë gjumit. Tre vjet më vonë, raporti më i fundit autoritar i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike tregon se Moska po drejton më shumë burime te makineria e saj të luftës sesa të gjitha vendet evropiane joruse së bashku që japin për mbrojtjen. Disa vende në zonën e rrezikshmërisë, veçanërisht Polonia, kanë rritur ndjeshëm buxhetet ushtarake si reagim ndaj shkatërrimit të Ukrainës. Polakët e kuptojnë se kostoja e frenimit të agresionit ia vlen të paguhet për të shmangur një çmim shumë më të lartë nëse ata lihen të pambrojtur ndaj shkatërrimit. Të tjerët ende janë në gjumë. Vitin e kaluar, tetë nga 32 anëtarët e NATO-s ende nuk arritën të përmbushin detyrimin modest për të shpenzuar të paktën dy për qind të PBB-së së tyre për mbrojtjen.
Nuk është se Evropës i mungojnë burimet për të mbrojtur veten pa ndihmën e ShBA-së. Popullsia e Rusisë është rreth 144 milionë. Popullsia totale e vendeve të NATO-s, pa përfshirë ShBA-në, është mbi 636 milionë, ndërsa fuqia e tyre e kombinuar ekonomike është rreth 12 herë më e madhe se ajo e Rusisë. Mjetet ekzistojnë; por, ka munguar vullneti.
Shpenzimet për mbrojtjen pritet të bëhen çështje e nxehtë në politikën britanike. George Robertson, ish-sekretar i Mbrojtjes gjatë kohës së Tony Blairit në Kryeministri dhe më pas sekretar i përgjithshëm i NATO-s, ka udhëhequr një rishikim strategjik të mbrojtjes. Lordi Robertson është skocez mendjemprehtë i cili ka mbikëqyrur një analizë serioze që ka arritur në përfundime tronditëse. Gjetjet e tij shqetësuese sapo janë dorëzuar në tryezat e sekretarit të Mbrojtjes dhe të kryeministrit. Ato kanë mbërritur me zhurmë të madhe.
Analiza e Robertsonit do të shtojë më shumë detaje në një tablo tashmë alarmante të kërcënimeve në rritje të cilat tejkalojnë masat e pamjaftueshme mbrojtëse. Ai sugjeron inovacione për të maksimizuar efikasitetin e shpenzimeve të mbrojtjes, duke ofruar më shumë rezultat për çdo paund të shpenzuar nga taksapaguesit. Gjithashtu, rekomandon riorientimin e roleve dhe aktiviteteve. Argumenton se nuk është vetëm shuma të shpenzuara ajo që ka rëndësi, por edhe mënyra se si shpenzohen ato. Megjithatë, mesazhi më i drejtpërdrejtë i analizës do të jetë se Britania nuk po i dedikon burime të mjaftueshme sigurisë së vet. John Healey, sekretari i Mbrojtjes, e ka pranuar tashmë këtë fakt duke vajtuar për forcat e “dërrmuara” të armatosura që kanë lënë pas konservatorët, një “trashëgimi e tmerrshme” që përfshin ushtrinë më të vogël që nga luftërat napoloniane dhe një forcë ajrore që humb më shpejt pilotët sesa mund t’i trajnojë zëvendësojë ata.
Një nga ministrat e rangut të ulët e Healey ka thënë se Ushtria britanike mund të fshihet nga ekzistenca brenda vetëm gjashtë muajsh – nëse përfshihet në një luftë të përmasave të konfliktit në Ukrainë. Në fushën e luftës kibernetike, drejtori i Qendrës Kombëtare për Sigurinë Kibernetike ka paralajmëruar, kohët e fundit, se mbrojtja e Britanisë nuk është mjaftueshëm e fortë për t’u përballur me akterët e shumtë keqdashës që na kërcënojnë.
Manifesti elektoral i laburistëve përfshinte një premtim për të rritur shpenzimet për mbrojtjen deri në 2.5 për qind të PBB-së, por jo deri në një moment të largët dhe të papërcaktuar në të ardhmen. Në një takim të afërt me kryeministrin në Kryeministri, krerët e forcave të armatosura pritet të argumentojnë se kapaciteti ynë ushtarak i dobësuar do të pësojë shkurtime të mëtejshme, përveç nëse marrin 10 miliardë paundë shtesë në vit përtej buxhetit aktual.
Njerëz të informuar më thonë se Keir Starmer po anon gjithnjë e më shumë drejt nevojës për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen. Por, që kjo të ndodhë do të duhet të kapërcehen tri pengesa të mëdha. Njëri është Thesari, i cili gjithmonë e ka parë Ministrinë e Mbrojtjes si një institucion që shpenzon në mënyrë të pamatur, shpesh me të drejtë. Me buxhetin tashmë të tkurrur, Rachel Reeves [ministre e Financave] do të ketë nevojë për më shumë arsyetime për të bërë një përjashtim për mbrojtjen. Do të ketë pengesa nga shumë ministra dhe deputetë laburistë që do të ngurrojnë të japin më shumë para për raketa kur kjo do të thotë më pak fonde për shërbimet publike. Po ashtu duhet bindur edhe publiku britanik, për të cilin mbrojtja dhe siguria nuk kanë qenë së fundmi një prioritet. Në zgjedhjet e verës së kaluar, vetëm një në 50 votues e cilësoi këtë si çështjen kryesore për votën e tyre.
Duhen shumë përpjekje për të ndryshuar këtë mendësi, por nevoja për ta bërë këtë po bëhet gjithnjë e më urgjente. Ekziston një shprehje e vjetër diplomatike: “Nëse nuk je në tryezë, me shumë gjasa je në meny”. Në këtë epokë të marrëdhënieve ndërkombëtare, të përfaqësuar nga përpjekja e Trumpit si një burrë i fortë për të bërë një marrëveshje – për copëtimin e Ukrainës – me Putinin si një tjetër burrë i fortë, ligji i xhunglës po bëhet normë. Nëse Britania dhe pjesa tjetër e Evropës nuk duan që interesat e tyre jetike të jenë “në meny”, do të duhet të paguajnë çmimin për të pasur një vend në tryezë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Publikohen mesazhet e anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së: Akuzat për vjedhje votash në diasporë

Abdixhiku reagon ndaj akuzave për vjedhje votash

Trump thotë se është i zemëruar me Putinin - vjen reagimi i parë nga Rusia

“Burgim dhe ndalim të përhershëm”, Ambasada amerikane në Shqipëri paralajmëron aplikantët e vizave për në SHBA

Shpërthim te zyrat e reja të Postës së Kosovës në Zveçan, policia në vendngjarje

Ferma VIP: Zbulohen disa fermerë të këtij edicioni

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Abdixhiku reagon ndaj akuzave për vjedhje votash

Ferma VIP: Zbulohen disa fermerë të këtij edicioni

Publikohen mesazhet e anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së: Akuzat për vjedhje votash në diasporë

Real Madridi me mision për transferimin e yllit të Man Utd – ai kushton 90 milionë euro

Trump thotë se është i zemëruar me Putinin - vjen reagimi i parë nga Rusia

Përplasja me Danjën, Gjesti i thotë Eglit se e ka paralajmëruar: Besoji tani