Evropa nuk mund ta trajtojë Iranin si një luftë të dikujt tjetër

Nga: Bradley Martin dhe Liram Koblentz-Stenzler / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Bashkimi Evropian duhet të kuptojë se neutralizimi i kërcënimit rajonal që paraqet Irani është një çështje për mbijetesë kombëtare.
Lufta aktuale me Iranin ka zbuluar një dobësi më të thellë strukturore në mendimin strategjik të Evropës. Irani tashmë është pjesë e mjedisit të sigurisë së Evropës - përmes dronëve që ia jep Rusisë për përdorim në Ukrainë, përmes rrjeteve të tij të inteligjencës dhe të ndërmjetësve [proksive] në mbarë Evropën, si dhe përmes partneritetit të tij të shtuar me Moskën.
Megjithatë, shumë udhëheqës evropianë vazhdojnë ta trajtojnë Iranin si problem të largët rajonal, dhe jo si një sfidë të drejtpërdrejtë për sigurinë e vetë Evropës.
Pas vizitës treditore shtetërore në Kinë më 2023, presidenti francez Emmanuel Macron tha në një intervistë për Politico se Evropa duhet të shmangë tërheqjen në një përballje midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për Tajvanin. Macroni theksoi atë që ai e quajti teoria e tij e “autonomisë strategjike”, sipas së cilës Evropa duhet të bëhet “superfuqi e tretë”.
“Paradoksi do të ishte që, të mbërthyer nga paniku, të besojmë se jemi vetëm ndjekës të Amerikës”, tha Macroni. “Gjëja më e keqe do të ishte të mendojmë se ne evropianët duhet të bëhemi ndjekës në këtë çështje dhe të marrim orientimin tonë nga agjenda amerikane dhe nga një reagim i tepruar kinez”.
Është pikërisht kjo lloj pavendosmërie - të cilën Macroni e kritikoi - që karakterizon përgjigjen e BE-së ndaj sulmeve të përbashkëta të ShBA-së dhe Izraelit kundër kërcënimit rajonal që paraqet Irani. Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar i bënë thirrje Iranit të ndalojë “sulmet e pamatura” kundër vendeve në rajon, duke thënë se do të ndërmarrin hapa për të mbrojtur aleatët e tyre në rajon “duke mundësuar veprime të nevojshme dhe proporcionale mbrojtëse për të shkatërruar aftësinë e Iranit për të lëshuar raketa dhe dronë”.
Megjithatë, shumë veprime të BE-së duket se shkojnë në kundërshtim me interesat e saj.
Pavarësisht kërcënimeve me raketa balistike nga Irani, mbylljes së Ngushticës së Hormuzit dhe mbështetjes materiale për pushtimin rus të Ukrainës, vendet më të mëdha evropiane refuzuan t’i bashkohen fazës fillestare të goditjeve amerikano-izraelite. Ndërsa Franca ka urdhëruar aeroplanmbajtësen e saj Charles de Gaulle të niset drejt Mesdheut, ajo gjithashtu ka rënë dakord të punojë me Kinën - një tjetër aleate e rëndësishme e Rusisë - për të ulur tensionet në konflikt.
Kryeministri britanik Keir Starmer mbrojti të enjten vendimin e tij për të mos iu bashkuar fazës fillestare të sulmeve amerikano-izraelite, ndërsa kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, i dënoi hapur këto sulme, duke i mohuar ShBA-së lejen për të përdorur bazat e përbashkëta ushtarake të territorin e saj për të sulmuar Iranin. Në një deklaratë të dielën, 27 vendet e BE-së bënë thirrje për “përmbajtje maksimale” dhe respektim të plotë të së drejtës ndërkombëtare në konfliktin me Iranin.
A është kjo pavendosmëri thjesht një tronditje e përkohshme e udhëheqësve të BE-së si reagim ndaj sulmeve amerikano-izraelite, apo është një shenjë e asaj se si mund të duket dekada e ardhshme në Evropë? Një kontinent ku politika e jashtme formësohet nga perceptimet afatshkurtra të kërcënimeve kombëtare, dhe jo nga një qasje e përbashkët strategjike. Me rritjen e rrezikut që qeliza të fjetura të lidhura me Iranin të godasin objektiva në Evropë pas vrasjes së ajatollah Ali Khameneit, BE-ja ballafaqohet tani me një zgjedhje: të përballet me kërcënimin iranian si sfidë strategjike - ose të vazhdojë ta trajtojë atë si luftën e dikujt tjetër. /Telegrafi/




















































