Evropa e bashkuar para takimit Trump-Putin për Ukrainën

Volker Witting
Jubileun e 100 ditëve në pushtet, në fakt, kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz e kishte imagjinuar diku tjetër: Në vend që të çlodhet në sezonin e pushimeve, ai del në ofensivë intensive diplomatike lidhur me çështjen e luftës dhe paqes.
Të premten në Alaskë zhvillohen bisedimet ndërmjet presidentit rus Vladimir Putin dhe atij të ShBA-së, Donald Trump, për të ardhmen e Ukrainës, por pa pjesëmarrjen e Ukrainës dhe të Evropës. Kancelari Merz përpara këtij takimi donte të apelonte për arsyen dhe ftoi një diskutim përgatitor në një video-konferencë në Berlin.
Të ftuar ishin disa kryetarë shtetesh dhe qeverish të BE-së, të ftuar nderi nga Komisioni i BE-së dhe NATO, presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili kishte ardhur personalisht në Berlin. Mesazhi i tij: "Ne duam paqe për Evropën dhe për botën”. Duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm dhe garanci sigurie për vendin e tij, theksoi ai më tej.
Misioni i nismës Merzit është: Të tregohet unanimitetit kundër Vladimir Putinit i cili prej vitesh po bën një luftë të përgjakshme kundër Ukrainës dhe deri tani nuk do t'ia dijë as për armëpushim dhe as për paqe në rajon. Dhe: Ta frenojë presidentin e ShBA-së për lëshime të pakonsultuara ndaj Rusisë. "Në Alaskë duhet të mbrohen interesat thelbësore evropiane dhe ukrainase të sigurisë", theksoi kancelari. "Ka shpresë për lëvizje drejt një paqeje në Ukrainë", kështu e formuloi Friedrich Merz.
Presidenti Trump tha, përpara takimit virtual në Berlin, se ka përshtypjen që evropianët duan të shohin një "marrëveshje". Ai gjithashtu deklaroi se pas bisedimeve të tij me Putinin në Alaskë, shumë shpejt mund të ketë një takim në tresh. Megjithatë, ende kjo ende nuk është vendosur.
Trumpi do të rrisë presionin ndaj Putinit, por ka pak për të ofruar. Ai vërtetë dëshiron patjetër paqe dhe i ka kufizuar ndjeshëm furnizimet me armë për Ukrainën. Njëkohësisht, ai nuk mund të negociojë për lëshime territoriale. Kjo mund të bëhet vetëm me evropianët dhe në radhë të parë vetëm me miratimin ukrainas.
Presidenti i ShBA-së ditët e fundit vazhdimisht ka përmendur një "shkëmbim territoresh". BE-ja dhe Ukraina e kanë të qartë që Rusia nuk do t'i kthejë territoret e pushtuara. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, së fundi ka thënë: "Ne duhet të marrim parasysh në këtë moment që Rusia kontroll një pjesë të territorit ukrainas".
Në çështjen territoriale, është e rëndësishme të bëhet dallimi mes një njohjeje "de facto" dhe "de jure", tha Rutte. Një ujdi mund të përcaktonte që Rusia faktikisht kontrollon territore të caktuara, por pa u pranuar ligjërisht ky kontroll.
Ukraina është e gatshme për bisedime lidhur me çështjen territoriale, thuhet në Berlin. Por, si pikënisje duhet të shërbejë linja aktuale e kontaktit, pra vija e frontit. "Një njohje ligjërisht e pushtimit rus nuk shtrohet për diskutim", theksoi Merz.
Aktualisht, Rusia ka nën kontroll të plotë ose pjesërisht një të pestën e territorit të Ukrainës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse deklaroi të mërkurën (13.08.2025), se Rusia nuk do të tërhiqet nga territoret në Ukrainë, që i ka nën kontroll plotë. Ndër to bëjnë pjesë Luhanski, Donjecku, Zaporishja, Hersoni. Krimenë ai nuk e përmendi. Gadishullin Rusia e aneksoi më 2014, përkundër së drejtës ndërkombëtare. Samiti në Berlin është thjeshtë "i parëndësishëm", u tha më tej. /DW/


















































