Kombëtarja e Shqipërisë vijon përgatitjet për dy ndeshjet miqësore të qershorit, ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke.
Trajneri Edoardo Reja dhe stafi i tij kanë nisur punën me skuadrën, teksa po vlerësojnë edhe gjendjen e secilit prej tyre.
Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se portieri Etrit Berisha, i cili është paraqitur në grumbullim, i është nënshtruar vizitave mjekësore për shkak të një dëmtimi.
Pas konsultave me mjekët u konkludua se portieri nuk mund të jetë i gatshëm në kohë dhe iu dha leja që lojtarit të largohet nga grumbullimi.
Ndërkaq, tekniku Reja ka vendosur të thërrasë mbrojtësin e Tiranës, Erjon Hoxhallari në Kombëtare.
Bëhet me dije se lojtari është grumbulluar që sot (e enjte) me Kombëtaren dhe ka nisur përgatitjet me grupin për dy miqësoret.