Me rritjen e temperaturave dhe ditëve më të gjata, verës po i vjen koha të marrë skenën kryesore.

Në këtë sezon, “Esquire” vë në fokus Shqipërinë, një destinacion në rritje që po tërheq vëmendjen e udhëtarëve në kërkim të eksperiencave autentike dhe pushimeve të paharrueshme.


Sipas një studimi të fundit të faqes së sigurimeve HelloSafe, Shqipëria renditet në krye të listës së vendeve të rekomanduara për pushime pranë Italisë, me një pikë prej 75.8.

Nuk bëhet fjalë vetëm për çmimet e përballueshme, por edhe për bukuritë natyrore që nuk kanë asgjë për t’u pasur zili plazheve të famshme të Greqisë dhe Kroacisë.

“Esquire” thekson se Shqipëria kombinon plazhet mahnitëse me mundësi të shumta për eksplorime në brendësi të vendit. Ksamili dhe Gjiri i Dafinës në Gadishullin e Karaburunit janë vendet ideale për t’u relaksuar në ujëra të kristalta dhe për të shijuar diellin në plazhe të qeta.

Por, Shqipëria nuk është vetëm bregdeti. Për adhuruesit e natyrës, “Esquire” rekomandon vizitën në lugina të thella si ajo e Thethit, ku liqenet e kristalta dhe pyjet e dendura krijojnë një mjedis të paprekur dhe magjepsës.

Me këtë përzierje unike të bukurisë natyrore, kosto të përballueshme dhe afërsinë me Italinë, Shqipëria po shndërrohet në një nga destinacionet më të nxehta të verës 2025./Tv Klan