Erion Sadriu është një nga zbulimet e sezonit 2024/25 në Superligën e Kosovës në futboll.

20-vjeçari është vëllai i vogël i kapitenit të Ferizajt, Edon Sadriut, derisa këtë edicion nuk ka qenë titullar i rregullt te skuadra e Arsim Abazit.


Megjithatë ai sa herë është aktivizuar në lojë, ka dhënë kontribut të madh për skuadrën e qytetit të tij.

Sadriu ka zhvilluar 34 ndeshje këtë edicion, megjithatë ai ka në këmbët e tij vetëm 1007 minuta nga 3060 të mundshmet, por limiti i kohës së kaluar në fushë nuk e ka munguar të lë gjurmë sa herë ka luajtur.

Sulmuesi anësorë ka qenë fantastik, duke e mbyllur sezonin me shtatë gola dhe dy asistime dhe kjo ka bërë që forma e tij e lartë të vlerësohet edhe nga përzgjedhësi i Kombëtares U21 të Kosovës, Afrim Tovërlani.

Në një intervistë për Telegrafin, Sadriu flet për sezonin më të mirë në karrierë, golat e asistimet, ftesën nga Kombëtarja U21 si dhe të ardhmen e tij.

"Ishte një sezon sfidues, por shumë i vlefshëm për mua. Nuk kam qenë gjithmonë titullar, por kam punuar çdo ditë për të qenë gati. Çdo minutë në fushë e kam parë si mundësi për t’u dëshmuar dhe jam përpjekur ta shfrytëzoj maksimalisht", tha fillimisht Sadriu për Telegrafin.

Erioni është i lumtur me atë që ka dhënë këtë edicion me fanellën bardhekaltër të Ferizajt.

"Ndihem krenar me atë që kam arritur këtë edicion, por unë gjithmonë kërkoj më shumë nga vetja. Ky është shpërblim i përkushtimit të përditshëm dhe mbështetjes që kam marrë nga stafi i trajnerëve dhe bashkëlojtarët. Unë jam sulmues dhe gjithmonë kam dëshirë të ndihmoj skuadrën me gola e asistime. Jam i lumtur për këtë sezon, por e di se mund të jap edhe më shumë", vazhdon tutje Sadriu.

Ftesa nga Kombëtarja e Kosovës U21 sigurisht që e ka bërë të lumtur Erionin, i cili pritet të luaj ndaj Maqedonisë së Veriut në miqësoren e së mërkures.

"Për mua ka qenë një emocion i madh të ftohem nga Kombëtarja U21 e Kosovës, por edhe një vlerësim për atë që kam bërë në fushë. Të përfaqësosh vendin tënd është nder dhe përgjegjësi. Falënderoj trajnerin Toverlani për besimin, kjo ftesë është motivim shtesë për të punuar edhe më shumë dhe për të dëshmuar veten edhe me fanellën e shenjtë të Kosovës", thotë Sadriu.

Erioni shpesh herë e sheh vetën me vëllanë e tij të madh në fushë, Edonin. Ai thotë se është një moment i bukur sa herë luan përkrah vëllait të madh, të cilin e ka edhe idoll.

"Unë jam rritur duke parë vëllanë tim Edonin duke luajtur dhe ai është model për mua. Sigurisht që kur jam me të në fushë më jep ndjesi të mirë, por edhe është diçka e veçantë për më tepër që luajmë për skuadrën e qytetit", tha Sadriu.

Erion dhe Edon Sadriu

Talenti ferizajas ka kontratë me klubin e tij edhe për dy vite, megjithatë ai të ardhmen e sheh në ndonjë klub evropian dhe me punë e formë të mirë beson se mundet që këtë ëndërr ta bëj realitet.

"Besoj që nga sezoni i ardhshëm do të kem më shumë hapësira, të jem i rëndësishëm për ekipin dhe ta ndihmoj Ferizajn t'i arrij objektivat. Natyrisht, synoj të avancoj në karrierë, por çdo gjë në kohën e vet pasi ëndrra ime mbetet që një ditë të luaj në ndonjë kampionat evropian dhe me punë kjo ëndërr mund të realizohet. Tani jam i fokusuar te Kombëtarja U21 dhe përmirësimi im personal", përfundoi Erion Sadriu. /Telegrafi/

telegrafi sport app