Enti i Revizionit zbulon shkelje financiare në Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2024

Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar disa parregullsi në Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2024. Sipas tyre, edhe përskaj rekomandimeve që Revizioni kishte dhënë më vitin 2022, Mbrojtja nuk ka ndërmarrë masa dhe aktivitete për regjistrimin e aseteve fikse, burimeve materiale dhe financiare, nuk ka përcaktuar të dhënat financiare të prokurimit dhe shpenzimit të stokut të materialeve, pjesëve rezervë dhe inventarit të vogël.
Për kërkesat për avanset e dhëna në bazë të detyrimeve dhe taksave doganore për importin e pajisjeve dhe pjesëve, nuk është ofruar asnjë provë se pjesët e blera janë pranuar, detyrimet ndaj furnitorëve nuk paraqiten plotësisht në pasqyrat financiare; kompensimet sipas Marrëveshjeve kolektive janë paguar pa dokumente të duhura dhe ka mospërputhje në angazhimin e personave me kontratë për punë.
Revizioni ka konstatuar që as metoda e rimbursimit të fondeve që Ministria e Mbrojtjes paguan për përdorimin e shërbimeve për Delegacionin e Përhershëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO nuk është e rregulluar.
Mbrojtja në vitin 2024 nuk ka pasur akt për pagesën e shpërblimeve në para për punonjësit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Ushtrisë kurse janë identifikuar edhe parregullsi në zbatimin e procedurave të prokurimit publik dhe në zbatimin e kontratave të lidhura.
Për disa nga shërbimet që Ministria e Mbrojtjes u ofron organeve të tjera shtetërore, nuk janë lidhur kontrata për të rregulluar të drejtat dhe detyrimet e ndërsjella.
Parregullsi ka pasur edhe në të dhënat për furnizimin dhe konsumin e ushqimit si dhe për mjetet që mblidhen nga shitja e produkteve në pikat e shitjes në Shtëpinë e Armatës.
Me auditimin e kryer Revizioni ka përfunduar se vlera e parashikuar e aseteve fikse ka mbetur e pandryshuar që nga viti 1999.

















































